FOTO/ Panucci e lë jashtë kombëtares, reagon lojtari

Ermir Lenjani do të jetë një nga mungesat e mëdha të Shqipërisë në listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit mars ndaj Turqisë dhe Andorrës.

Edhe pse po paraqitet shumë mirë me Sionin në këtë sezon, madje është duke zhvilluar një nga kampionatet e tij më të mira,  anësori 29-vjeçar nuk do të jetë në listën që Christian Panucci do të shpallë të enjten e ardhshme.

Lajmin e ka zyrtarizuar vetë Lenjani, i cili nuk ka marrë ftesë për 2 ndeshjet e radhës të kombëtares kuqezi, edhe pse mund të ishte një alternativë shumë e mirë si në krahët e sulmit ashtu edhe në ato të mbrojtjes duke parë problemet që po hasin kuqezinjtë në këto pozicione.

Me anë të një reagimi në faqen e tij zyrtare në Instagram, Lenjani ka shkruar në “story”, se: “Çuditërisht nuk jam ftuar për ndeshjet e muajit mars nga kombëtarja”.

Ky sezon është një nga më të mirët për mbrojtësin anësor të kombëtares, që më shumë se sa në pozicionin e tij natyral, ka luajtur si mesfushor i avancuar te Sion.

Lenjani ka gjetur tre herë rrjetën në kampionat, ndërsa ka asistuar në total 7 gola, 4 prej tyre në kampionat dhe 3 në Kupën e Zvicrës.