Interi kthehet nga Frankfurti, ja çfarë po ndodh me Icardin

Në shtëpinë e Interit të gjithë janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Mauro Icardit.

Drejtuesit zikaltër kanë programuar të kontaktojnë përmes një telefonate me menaxheren dhe njëkohësisht bashkëshorten e argjentinasit, Wanda Nara, e cila në fakt akuzohet nga një pjesë e madhe e opinionit si një ndër shkaktaret  kryesore që sulmuesi  ka krisur marrëdhëniet me Interin.

Ndërkohë, vetë Icardi nuk po stërvitet me pjesën tjetër të grupit. Për këtë pjesë në fillim është aluduar që Icardi ka pësuar një dëmtim, por në fakt e vërteta është se raporti mes palëve është në pikën më kritike që është acaruar disi me tepër që pas vendimit për t’i hequr argjentinasit shiritin e kapitenit.

Vullneti i palëve është për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.

Icardi është parë në Appiano Gentile, në qendrën stërvitore zikaltër, por i veçuar nga pjesa tjetër e grupit.

Stërvitja ka nisur me vonesë, kjo pasi zikaltërit pas përfundimit të ndeshjes në Europa League ndaj Frankufritit kanë mbërritur vonë në Milano, diku rreth orës 2 të mëngjesit.

Nisur nga kjo, edhe ushtrimet fizike kanë qenë të një ngarkese jo shumë të lartë, në mënyrë që të mos rëndohet gjendja e lojtarëve.

Sidoqoftë raporti mes Icardit dhe Interit vazhdon të mos jetë në ditët e tij më të mira.