VIDEO/ Koreja e Veriut nis puna në impiantet bërthamore, reagon presidenti Trump

Pamjet e reja satelitore tregojnë se Koreja e Veriut ka nisur punime në zonën e lëshimit të raketave, të cilën ishte zotuar që ta mbyllte përfundimisht.

Imazhet janë marrë vetëm dy ditë pasi bisedimet mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-un përfunduan pa marrëveshje mbi denuklearizimin.

Baza e Tongchang-rit, siç thotë BBC, është përdorur për lëshime satelitësh e testime motorësh, e asnjëherë për hedhje raketash balistike. Puna për çmontimin e saj nisi vitin e kaluar, por ndaloi kur bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngecën në vendnumëro.

Zotimi për mbylljen e kësaj baze u pa si mënyrë për të rritur besimin mes Uashingtonit dhe Penianit, dhe fotot e atëhershme satelitore treguan se ky zotim po vihej në jetë vërtet.

Sipas asaj që raporton VOA, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të mërkuren se ai do të ishte “shumë i zhgënjyer” nëse njoftimet se Koreja e Veriut po rindërton një objekt për lëshimin e raketave janë të vërteta. Njoftimet për aktivitet të ri në bazën e raketave në Tongchang-ri erdhën vetëm disa ditë pasi Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un përfunduan papritmas takimin e tyre të dytë në Hanoi të Vietnamit.