Ambasadori i Zvicrës në Kosovë: E rrezikshme që të preken kufijtë

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet ka kundërshtuar idenë për prekje të kufijve në marrëveshjen me Serbinë. Kështu ai ka deklaruar në tryezën e thirrur nga Instituti Demokratik i Kosovës-KDI, për të diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. “Është e rrezikshme që të preken kufijtë”, ka thënë Lebet, njofton Klan Kosova.

Lebet ka shtuar se nuk është e nevojshme që palët të nguten për të arritur marrëveshjen, por ka shtuar se ajo do të ishte mirë sikur të arrihej. “Jam këtu për të përkrahur edhe më tej Kosovën në dialog, e çështje të tjera përfshirë këtu edhe çështjen e të zhdukurve dhe integrimin e Kosovës në instanca ndërkombëtare”, është shprehur Lebet.

Ai ka bërë thirrje që politikanët fillimisht duhet të mendojnë se çfarë duan të arrijnë me marrëveshjen finale me Serbinë. “E njëjta do të ndikojë në jetën e qytetarëve të këtij vendi”.