Intervista me Bruno Vespa në ‘Porta a Porta’/ ‘Misioni i pamundur’ i Ramës përtej detit

Italia ka aktualisht dy kriza të forta që i kanë zënë derën dhe që vijnë nga dy vende me të cilat ndan brigjet detare. Libia e post-Muhamar Gaddafit dhe Shqipëria nën sundimin e Edi Ramës.

Që të dy politikanët në fjalë në mënyrat e tyre janë dy personazhe fantazmagorikë, por shumë efektiv në një pikë dhe kjo është ajo që i bashkon. Mënyra e tyre e qeverisjes.

Muhamar Gaddafi i qeverisi aq mirë libianët, saqë kur ata u ngritën dhe e gjetën vrimën ku ishte futur, e përcollën drejt mandatit të përjetshëm me një koqe plumbi kres!

Ajme, ne nuk jemi libianë, por fatkeqësisht Edi Rama nuk ka asnjë dallim nga Muhamar Gaddafi. Dikur Muhamar Gaddafi, pritej me gjithë të mirat nga Silvio Berluskoni bashkë me republikane të rojeve personale të gjitha femra, sepse ashtu si edhe Edi Rama, ish diktatori libian ishte ‘artist’.

Një sharlatan që i priste liderët botërorë nëpër çadra beduinësh, por fasada bënte vështirë ta fshite pasurinë përrallore që Gaddafi kishte grumbulluar që prej ardhjes së tij në pushtet me puç ushtarak.

Nafta ishte çelësi i Muhamar Gaddafit që e detyronte cdo qeveritar italian ti bënte temena një dallkauku beduin, i veshur gjithë kohës si gjeneral, e që qeveriste si komunist dhe e trajtonte pasurinë e kombit si mall personal. Ju kujton dikë ky përshkrim?

Edi Rama është njeriu që përmes puçit të Aleancës së Qelbësirave, ka më shumë se 5 vjet e gjysmë që sundon Shqipërinë. Ashtu si Muhamar Gaddafi dikur në çadër beduinësh edhe ai ka vendosur të jetojë larg botës i izoluar në bunkerin e tij personal në Surrel.

Nëse Muhamar Gaddafi, nuk e hoqi kurrë rrobën e tij ushtarake prej gjenerali, Edi Rama qysh se u shfaq para shqiptarëve nuk i ka zhveshur për asnjë moment kostumin e tij prej kllouni me çitjane, ngjyrat ylberiane nëpër rroba, e atletet e adoleshencës që nuk e shijoi kurrë nëpër samite ndërshtetërore.

Kur kujton të gjitha këto, ndonjëherë të vjenë të ndihesh libian. Nuk ka asnjë ndryshim mes Edi Ramës dhe Muhamar Gaddafit edhe në mënyrën sesi ata e shpërdorojnë pronën publike, sa për furnzimin e tarafeve të oborrtarëve rreth sa për shtimin e pasurisë së tyre personale.

Në historinë e Libisë, nuk është i ditur fakti nëse Gaddafi hapi edhe një bankë për të pastruar produktin e tij të veprës penale. Sa për Shqipërinë, ABI Bank e Linda Ramës është sot institucioni financiar më okult që po gllabëron në heshtje të gjithë tregun bankar ndërsa vazhdon të pastrojë produktin e veprës penale gati 20 vjeçare të Edi Ramës.

Ajo që u pa me habi, pak ditë më parë me shkrimet dhe kronikat e njëpasnjëshme të mediave më prestigjioze italiane ndaj situatës në Shqipëri nuk është një rastësi. Italia është deri grykë me atë që po ndodh në vendin tonë për dy arsye.

E para se që prej vitit 2013, gomonet me hashash dhe armë që nisen nga qyteti i Moisi Habilajt dje dhe i Agron Xhafajt sot e kanë përmbytur tregun italian të narkotikëve më keq sesa batica Venecian. Në të njëjtën mënyrë, të njëjtin problem po aq të mprehtë sa me Shqipërinë, Italia ka edhe me Libinë.

Vetëm se besojeni ose jo nga Libia nuk vjen as drogë e as armë me gjithëse është një vend që e ka marrë lumi tashmë, por vetëm emigrantë. Edi Rama tha sot se do të shkojë në Itali që ashtu si Saimir Pirgu, edhe ai të pastrojë imazhin e vendit nga djegia e një gome para parlamentit.

Shumë mirë bën, tymi i zi i pushtetit të tij sapo ka nisur të nxjerrë shtëllungat e para. Por kurioziteti qëndron sesi do ti përgjigjet Edi Rama reportazhit të RAI DUE-s, për ‘vëllezërit nën armë’ të Avdylajve në Shijak që ‘garantuan’ gazetarin italian që jo vetëm votat në Durrës e më gjerë janë blerë në të shkuarën, por miqtë e tavolinës së ‘xhuxhit’ të Durrësit e kanë mbyll këtë muhabet edhe për zgjedhjet lokale e madje edhe për të 2021-shit, nëse...

Sigurisht që Edi Rama do të tregojë përralla me Reformë në Drejtësi nga e cila ai nuk ka frikë, por ama po dridhen ata opozitarët në Tiranë që dorëzuan mandatin. Sigurisht që Edi Rama do ta kafshojë gjuhën e tharë nga ‘pluhuri magjik’ që do të marrë përpara se të ulet përballë Bruno Vespën e nuk do lajthisë në prediksione komuniste kur thotë se në zgjedhjet e ardhshme lokale PS do ti fitojë të gjitha bashkitë.

Kur të pyetet për opozitën në vend, mos u habisni nëse Edi Rama do të flasë për si opozitën e re që sipas tij përfaqësohet denjësisht nga ‘Signor’ Myslym Murrizin dhe ‘Onorevole’ Lefter Maliqin, dy ‘comendadori’ brilant të së djathtës të cilët kur Donald Trump nuk është në telefon me Kim Jong Un, me shumë gjasë që po ‘chat-on’ në linja direkte me Lushnjen dhe Lapardhanë.

O tempora, o mores!

Ne si shqiptar jemi realisht në borxh me Italinë. Madje imazhi ynë vërtetës është nxirë, dhe emra më zë e me figurë fajtor për këtë ka. Sot ashtu si edhe me Libinë që i dërgon përditë në Lampeduza Italisë më mijëra afrikanë refugjatë të pashpresë, Shqipëria i dërgon sot e gjithë ditën kryesisht natat pa hënë tonelata hashashi vendit fqinj.

Sa për kronikën, në ditën që Edi Rama po udhëton drejt Italisë, homologu i tij Xhuzepe Konti ka udhëtuar sot drejt Serbisë, dhe besojeni ose jo kjo është hera e parë një ‘premier’ italian viziton Beogradin para Tiranës që prej vitit 1992!...