Gomat Pirg

Nuk ka vështirësi të kuptosh se si një Kryeministër përdor imazhin e një artisti me famë botërore për të ndikuar në protesten e opozitës. Gjithmonë rreziku i humbjes së pushtetit detyron pushtetmbajtësit të kapen pas çdo lëvozhge për të qëndruar sa më gjatë në sipërfaqen e ujit.

Në seancën parlamentare të së martës Edi Rama përmendi thënjen e Saimir Pirgut në mbledhjen e organizuar nga Majko në Tiranë për një gomë që qenka djegur në rrugën që të çon tek parlamenti gjatë një proteste paqësore të opozitës.

Saimir, që të përdori Edi Rama ndoshta nuk të vjen keq për një gjë të tillë, pasi për këtë ndoshta je paguar me një çmim në samitin e Majkos. Por me vjen keq mua që artin tënd e kam pëlqyer dhe e pelqej ashtu si mund ta kenë pëlqyer grekët që dogjen Athinën se ju ulën pagat. Ashtu siç francezët që dogjën Parisin se ju rrit çmimi i naftës, ashtu si italianet që bllokuan qytetet pasi u mashtruan vetëm për mbetjet, kazanët e plehrave....Ashtu si spanjollët që detyruan qeverinë me protesta të pranonte zgjedhjet e reja.

Ata vërtet nuk “dogjën” goma por dogjën zyra, dyqane, makina policie, automjete të blinduara, thyen xhama, goditën policë por edhe u goditen, shkuan edhe në spital e disa edhe vdiqën fare, e duan lirinë.

Duhet të shqetësohesh se si një kahje politike po të përdor artist, e jo se si nje kahje tjetër politike po mbështet popullin në protestë.

Dhe të jesh i sigurtë se në koncertet e tua artist, njerzit nuk vijnë për të protestuar por për të dëgjuar artin që bën. E pra nuk e ke shumë kollaj ta kuptosh se çfarë është protesta, sepse kur blen domatet (nëse të ndodh ndonjëherë) në treg, kurrë nuk thua më jepni dy kokrra, kur blen qepën kurrë nuk thua me peshoni një kokërr, e kur shkon tek dyqani i bukës kurre nuk thua me jepni nje gjysëm bageti, se nuk kam lekë, ose ma shkruani emrin në listë se e paguaj në fund të muajit.

Për këtë nuk ke faj artist sepse falë talentit, punës e përkushtimit tënd ke bërë prokopi dhe ke bërë para. Ke bërë edhe emër të mirë nëpër botë. Por kur ata njerëz që pëlqejnë artin tënd të degjojnë se ke protestuar edhe ti, do të pyesin se për çfarë protestoj Pirgu, për çfarë u revoltua artisti...

Për një gomë që ju dogj në një protestë paqësore te opozitës në vendin e tij të lindjes. Ata do të qeshin e do të thonë. Pirg i dashur vetëm një gomë u dogj.....po kur gomat të jenë pirg e të marrin flakë çfarë do të thuash....