Kryemadhi: Rama dështoi, i hipi avionit e iku, ka lënë viktimat të përballen me qytetarët

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, iu tha protestuesve të mbledhur para Kuvendit sot se kryeministri Edi Rama, edhe sikur të pprdorte gjithë Buxhetin e Shtetit për të blerë mandate, nuk do të mund ta merrte peng popullin.   “Rama nuk është në atë parlament, - tha Kryemadhi, -  i ka hipur avionit dhe ka ikur, por ka lënë viktimat e radhës të përballen me qytetarët.  Ka frikë të përballet me të vërtetën”:

"Ata më shumë se kurrë sot kanë frikë, - tha kryetarja e LSI. - Sot secili nga ne nuk përfaqëson një parti politik, por një familje shqiptare, dy prindër, ata shqiptarë që i dhimben shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi sa herë shushunjat të mblidhen, nuk do të lodhemi asnjëhërë.

Sot dua t’ju them diçka: Rama ka dështuar, dështuar në politikat e tij, me vendet e reja të punës, ku  shqiptarët përfunduan si emigrantë rrugëve të Evropës.

Rama dështoi me Policinë dhe turp më të madh nuk ka kur Policia pranon se ka bërë gabim. Të dhunosh vëllezërit e tu, ka dy arsye: ose je kriminel, ose hakmarrës.

Ne nuk mund të lejojmë Ramën dhe argatët e krimit të organizuar të varfërojnë shqiptarët që të largohen nga Shqipëria.   Ka më shumë se tre muaj që banorët e Unazës së Re kanë denoncuar 18 milionë euro, që i vodhi DH Albania për të shembur shtëpitë e tyre. Çfarë po bën sot Prokuroria me falsifikuesin? Çfarë po bën me dosjen 339 që nuk frikëson vetëm Edi Ramën por edhe ndonjë tjetër që hyn në parlament nga votat e bandave të Hamburgut?! Pse i frikësohet Rama dosjes 184?!

A nuk po blen vota për mandate në Kuvend?! Por, edhe gjithë Buxhetin e Shtetit dhe gjithë institucionesh të përdorësh, Antidrogën dhe Antikrimin, mos guxo të mendosh se mund ta marrësh peng këtë popull.

Rama nuk është në atë parlament, i ka hipur avionit dhe ka ikur por ka lënë viktimat e radhës të përballen me qytetarët, sepse ka frikë të përballet me të vërtetën!"/ar.sh/SYRI.NET