Ndërhyrjet në zgjedhjet e KMSH-së/ Berisha: Ramës i duhen edhe fuqitë fetare

I ftuar në emisionin “Open”, ish kryeministri Sali Berisha ka folur edhe një here lidhur me zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Sipas Berishës, ai ishte përfshirë në këto zgjedhje, jo për të mbështetur ndonjë kanidatëve, por për t’i dalë kundër kandidatit Ylli Gurra, i cili sipas tij mbështetej nga qeveria.

Ai ka shtuar se, qeveria dëshiron të ketë të gjitha fuqitë, e për këtë arsye doli haptazi në mbështetje të një kandidati. Gjë që siç thotë ish-kryeministri, ai vetë nuk e ka bërë kurrë.

“Qeveria dëshiron që të ketë të gjitha fuqitë. I duhen edhe fuqitë fetare. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Qeveria të zgjedhë e të lobojë për kandidatin e saj. Unë s’kam guxuar kurrë. S’mund të rrijë Rama pa ndërhyrë. Unë ndërhyra pasi më erdhën dhjetëra mesazhe dhe pasi u publikuan në mediat. Nuk mbështeta asnjë kandidat, por dola kundër kandidatit të qeverisë. Unë nuk dëshiroja që ai të zgjidhej, për të shprehur qëndrimin e tim dola kundër. Nuk e di se sa kam ndikuar”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri Berisha, shkon më tej duke deklaruar se disa deklarata nga eksponentë të klerit të Tiranës, janë të dënueshme.

“Disa deklarata nga eksponentë të klerit të Tiranës, janë të dënueshme. Si ajo e mbështetjes ndaj Edmond Begos. I ka dalë në krahë atij që shpërndan helm ndaj grave e fëmijëve për tu pasuruar vetë”, u shpreh Berisha.

Nga gara në KMSH fitues doli Bujar Spahiu.