Maqedonia e Veriut zgjedh presidentin e ri/ Analistët e Shkupit flasin për Syri.net

Më 21 prill qytetarët e Maqedonisë së Veriut do ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës. Deri tani në garë janë dy candidate: Stevo Pendarovski nga koalicioni qeveritar, ku përfshihet edhe partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe profesori universitar Blerim Reka që mbështetet nga partite shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Lidhur me këto zhvillime, portal Syri.net intervistoi tre analistë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Blerim Hyseni, Xhenis Sulimani dhe Iljasa Salihu, të cilët ndajnë mendime të ndryshme lidhur me aktualitetin në Maqedoni dhe lëvizjet e forcave politike shqiptare atje.

Të pyetur se, si e komentojnë  vendimin e BDI për të dalë me një kandidat të perbashkët, Stevo Pendarovski dhe jo me një kandidat shqiptar, analistët shprehen:

 “Koncepti i promovuar tanimë 5 vite më parë nga BDI për president konsensual si dhe plateforma e saj politike e bazuar në ndarjen e pushtetit mbi baza etnike që nënkupton qe edhe institucionet kyqe të Maqedonise të udhehiqen nga shqiptarët ka sjellë deri te ky hap i BDI-së. Së pari zgjedhja e Talat Xhaferit kryetar të parlamentit të Maqedonisë së Veriut që është një hap i parë që ka ndodhur, i cili ndoshta ishte i p imagjinueshëm deri vonë jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga vetë maqedonasit ka sjellë që BDI në këto zgjedhje presidenciale të riaktivizojë sërish konceptin e presidentit konsensual dhe të mbeshtesë Stevo Pendarovskin si kandidat të  përbashkët”, deklaron analisti Blerim Hyseni.

“Partitë politike janë të lira në zgjedhjen e aleancave politike. Pavarësisht se me kë koalicionojnë dhe si veprojnë, të njëjtat pastaj ose shpërblehen ose dënohen nga elektorati. Partia me më shumë votues shqiptarë, BDI, kësaj radhe, në zgjedhje presidenciale (21 prill 2019) ka vendosur që në pajtim me Lidhjen Social Demokrate, dhe partitë tjera në pushtet të shkojnë me kandidat të përbashkët, apo sic e kanë quajtur partitë "kandidat konsensual. Këtë hap partitë në pushtet, bashkë me BDI-në edhe partitë më të vogla shqiptare si Alternativa dhe PDSH, e kanë argumentuar me faktin se është e pamundshme të fitojë kandidati shqiptarë”, deklaron politologu Xhenis Sulimani.

Ndërsa analisti Iljasa Salihu shprehet: “Si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në zgjedhjet presidenciale, BDI-ja po e shpërfaq dobësimin e saj para zgjedhësve shqiptarë. Ajo tashmë vetë po e dëshmon se nuk është e aftë në asnjë garë të garojë e vetme. Për më tepër se kaq, para disa javësh, BDI-ja pohoi se nuk do ta përkrahte asnjë kandidatë që vjen prej kongresit të ndonjë partie dhe në mungesë të kandidatit konsensual do të dalin me kandidat shqiptarë të përkrahur prej gjitha partive politike shqiptare. Mirëpo, sikurse çdo herë që nuk i është bërë vonë për asnjë parim, brenda pak ditësh i hëngri qëndrimet e saja dhe dolën me kandidat të përbashkët maqedonas, kandidat ky që vjen prej LSDM dhe që para pesë vjetësh kishte humbur garën për president, atëkohë pa mbështetjen e BDI-së, ngaqë atëherë Stevo Pendarovski nuk ishte kandidat konsensual. Për habi, vetëm pesë vjet iu deshën Pendarovskit që të shndërrohet në kandidat konsensual”, shprehet analisti Iljasa Salihu.

A mos vallë është momenti që pas kryetarit të Kuvendit, shqiptarët të kenë edhe postin e presidentit?

“Sigurisht që tek e fundit mometet në politike krijohen dhe duhet shfrytëzuar por nëse kemi para sysh sfidat të cilat i kaloi Maqedonia në kuptimin e zgjidhjes së kontesteve me fqinjët e saj si dhe ligji i dy gjuhësisë e kanë prolonguar këtë moment për më vonë. vetëm nëse analizojmë se si u krijua kjo qeveri e udhëhequr nga Zoran Zaev, si kaloi Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimi i emrit kushtetues si dhe miratimi i ligjit për gjuhën shqipe dhe problemet dhe kartën etnike që përdor VMRO-DPMNE vlerësoj që një kandidat shqiptar që do mbështetej edhe nga LSDM në këtë periudhë do ti krijonte avantazhe të paimagjinueshme politike liderit të saj Mickovski. Sigurisht që me këtë tempo që zhvillohen gjërat në Maqedoni dhe insistimi i faktorit ndërkombetar për një kandidat konsensual do të imponojë nevojën madje edhe domosdoshmërinë që shumë shpejtë të kemi edhe president shqiptar të Maqedonisë së Veriut”, shprehet Hyseni për Syri.net.

“Blerim Reka vjen nga fusha akademike, me prapavijë të pasur diplomatike- ish ambasador në Bruksel. I njëjti përkrahet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Një gjë duhet të theksohet se, vijat etnike në votimin e kandidatit ende qëndrojnë. Prandaj, mendoj se edhe përskaj përkrahjes së tre partive shqiptare në pushtet kundrejt Stevo Pendarovskit, numri më i madh i votës shqiptare do të adresohet te kandidati shqiptar. Një fakt tjetër, tash votuesi voton më lirshëm, se në zgjedhjet presidenciale nuk do të jetë i kushtëzuar si në zgjedhjet parlamentare apo ato lokale, për vende pune, gradime apo të ngjajshme”, analizon Sulimani.

“Pse jo? Kur dihet mirëfilli dhe fakti i pashkruar se në Maqedoninë e Veriu jetojnë mbi 30 për qind shqiptarë, paçka se sistemi zgjedhor në mungesë të një reforme serioze gllabërueshëm zbret numrin e deputetëve shqiptarë. Kryeministri i vendit, ministri i punëve të brendshme, ai i financave dhe drejtori i shërbimeve sekrete udhëhiqen prej maqedonasve dhe fare nuk prishë punë që kryetari i kuvendit dhe ai i shtetit të udhëhiqen prej shqiptarëve, edhe pse në realitetin e sotëm, kjo vështirë se mund të arrihet”, shprehet Salihu për Syri.net.

A mund të jetë Blerim Reka një rival serioz përballë Pendarovskit?

“Kandidatura e profesor Blerim Rekës mendoj që më shumë ka të bëjë me betejën e ashpër politike që zhvillohet nga dalja e Aleancës për Shqiptarët nga qeveria . Kjo ashpërsi në zgjedhjet presidenciale do të shfaqë disa risi . Psh. në rrethin e parë shqiptarët në masë të madhe do të votojnë z.Reka dhe kjo do ti japë alibi z.Sela që të krekoset para eletoratit se kemi grumbulluar një numer të madh votash duke tentuar të vejë në diskutim edhe legjitiumitetin e BDI-së në qeveri. Por në rrethin e dytë atëherë kur do të garojnë vetëm dy kandidatë gjendja do të jetë më e qartë sepse në listën votuese s’do të ketë kandidat shqiptar për president dhe Pendarovski do ti marrë votat e elektoratit shqiptar. Përndryshe Blerim Reka nuk është ndonjë anonim në Maqedoni. Është profesor aktiv në opinion duke dhënë kontributin e tij të padiskuitueshëm, ka qene edhe ambassador, por mendoj që kësaj rradhe ka hyrë në vallen e Alencës për Shqiptarët dhe levizjes Besa duke e ditur fare mirë se nuk ka kushte as minimale për të fituar si i vetëm për president të Maqedonisë. si do qoftë vlerësoj se këto zgjedhje presidenciale do ti kenë veçuritë e veta të cilat deri më tani nuk kanë qenë te pranisshme në betejat poltike në Maqedoni”, shprehet analisti Blerim Hyseni.

“Shqiptarët do të kenë mundësi ta përkrahin një njeri të përgatitur profesionalisht dhe me një përvojë të ngjeshur në skenën e zhvillimeve politike, ekonomike dhe juridike në vend dhe jashtë vendit. Blerim Reka, ashtu sikurse Stevo Pendarovski, nuk është kandidatë konsensual, por kandidatë shqiptarë që synon presidencën. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, do të kenë përballë dy kandidatë të përgatitur dhe me një bagazh të madh akademik. Kjo është e mira e garës!”, analizon Iljasa Salihu.

Nga ana tjetër, politologu Xhenis Sulimani është i mendimit se në zgjedhjet e 21 Prillit qytetarët do të votojnë më të lirë dhe pa presione politike pasi në shkëmbim të votës nuk do të ketë vende pune siç ndodh rëndom në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

“Tash votuesi voton më lirshëm, se në zgjedhjet presidenciale nuk do të jetë i kushtëzuar si në zgjedhjet parlamentare apo ato lokale, për vende pune, gradime apo të ngjajshme”, shprehet Sulimani.

Postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut aktualisht e mban Gjorge Ivanov, një njeri i afërt i ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, tashmë azilant politik në Hungari. Ai u zgjodh president për herë të parë në vitin 2009, duke zëvënedësuar kështu ish-presidentin Branko Crvenkovskin, ndërsa mandatin e dytë e mori në majin e vitit 2014. Ai do të mbahet mend edhe për qëndrimet e tij të forta anti-shqiptare. /Syri.net