FOTO/ Ministrja e Enver Hoxhës bën strategjinë e Bujqësisë, e ftuar nga Bledi Çuçi

Thimie Thomai, ish-ministrja e Bujqësisë në regjimin e Enver Hoxhës, është zgjedhur nga Bledar Çuçi për të qenë anëtare e Këshillit Strategjik për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.

Këshilli Strategjik për Bujqësinë u bë i famshëm kur dosja.al zbuloi që shefja e kabinetit kishte ftuar nënën e saj. Por, ndërsa nëna ishte në fund të tryezës, në qendër, në krah të shefes së kabinetit, ishte e ftuar ministrja e Bujqësisë e Enver Hoxhës, Themie Thomai.

Ministri Bledar Çuçi, nuk e ka gjetur me vend që në këshillin strategjik të përfshijë paraardhësit e tij të pluralizmit, ose paraardhësit socialistë. Nuk është anëtar as Niko Peleshi që e drejtoi për 1 vit e 4 muaj, as ish ministri Panariti, titullar nën drejtimit e Ramës, asnjë nga ministrat që shikoni tek lista e ish-ministrave. Është zgjedhur pikërisht ajo, Themie Thomai, që Enver Hoxha e katapultoi nga kryetare kooperative, pra nga baza, për ta bërë ministre të Mehmet Shehut dhe më pas të Adil Çarçanit. Në këtë post ajo do të qëndronte prilli i vitit 1975 deri më 2 shkurt të vitit 1989, ndërsa ka qenë njëherësh anëtare e byrosë politike.

Pse është anëtare e Këshillit Strategjik të Bujqësisë ish-drejtuesja e diktaturës? Për arritjet e mëdha? Ajo ka qenë ministrja e kolektivizimit, që u mblodhi shqiptarëve edhe lopët, pasi u kishin marrë tokën. Çfarë këshillash do t’i japë ajo qeverisë? Këtë do ta kuptojmë në muajt e ardhshëm. E sigurtë është që ministrit Çuçi i kanë pëlqyer këshillat e saj, aq sa edhe në foton miqësore ka zgjedhur ta ketë sa më pranë. Dosja.al