Samiti i Turpit

Emrin e kishte Samiti i Diasporës, por si çdo paçavure e Edi Ramës, veç i tillë nuk ishte.

Qëllimi qe qartësisht diku tjetër. E lehtë për t’u kuptuar.

Edhe nëse nuk e merr vesh menjëherë të ndihmojnë zagarët mediatikë të ideatorëve të ndarjes së Kosovës.

Mediat u vërshuan nga lajmet e dyshes së pandashme Rama-Thaçi, që sërish u munduan të shfaqen si baballarë të kombit, patriotë me nam, mbrojtës të kufijve.

Redaktorët vasalë me gjasë i kishin të gatshëm titujt në edicionet propagandistike.

Me rëndësi, të sulmohet egërsisht çdokush që e ngre zërin kundër planifikuesve të ndarjes së Kosovës.

Por, çfarë kuptimi ka të shndërrohet një ngjarje për mërgatën, në tabelë qitjeje për gansterët e politikës shqiptare?!

Reputacioni i tyre ka rënë përtokë dhe një event kësisoj, u duhej. Për presidentin e Kosovës, është më e lehtë të përbetohet në Tiranë, sepse në Prishtinë, s’i beson më njeri.

Me adhurim e shihte partneri në planin për ndarjen e Republikës, kryeministri i vetmuar i Shqipërisë.

Publikisht ata folën për bashkim, pas krahëve janë mobilizuar për copëtim.

Samiti i Diasporës, mund të qe vendi i fundit, për të adresuar akuza politike ndaj rivalëve.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për pozitën e kryeministrit të Kosovës apo liderit historik të së djathtës shqiptare, të dy, kundërshtarë të prerë të ndarjes.

Goditja e Ramush Haradinajt dhe Sali Berishës, nuk ishte improvizim, por skenar i Ramës, i zbatuar me ndihmën e Thaçit.

Më qesharake se fjalët e tij patetike, nuk kemi dëgjuar. Vetë mbështetësi i copëtimit të territorit, ka lobuar kaq fort me kënd është takuar, për të pranuar pazarin territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, pse ky përbetim? Arsyeja është e thjeshtë. Nuk u beson më askush!

Kështu, samiti i Diasporës, ishte mjeti, ndarja mbetet qëllimi. Sa herë që Thaçi e Rama, bëjnë sikur janë kundër prekjes së territoreve, diçka e rëndë përgatitet.

Pamfleti që recituan dje dy despotët tanë, ishte një hipokrizi e radhës.

Nëse ka dy njerëz që e kanë dëmtuar mërgatën, janë pikërisht ata të dy. Dhe duke e ditur se aq u bën për miliona shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme, nuk ngurruan ta keqpërdorin, me plan, ngjarjen e së premtes.

Një turp i pritshëm për dy njerëz, që kanë devijuar nga çdo vlerë, për t’u shndërruar në liderët më të urryer aktualisht në hapësirën shqiptare.

Atë, të cilën nuk ngurrojnë ta ndotin, edhe kur thirren në emër të bashkimit, partneritetit e gjepura të tjera.

Shkruar nga SYRI.net KOSOVA