Zgjedhjet në Komunitetin Mysliman/ Denoncimi: Fiton imami i narkoshtetit

Pak orë para zgjedhjeve për kreun e ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar vazhdojnë të vijnë lajme për ndërhyrjet e qeverisë në këtë proces.

Kur në garë kanë ngelur nënkryetari aktual i KMSH, Bujar Spahiu dhe Myftiu i Tiranës Ylli Gurra,  sipas ish kryeministrit Sali Berisha, nga zgjedhjet pritet të dalë fitues Gurra, njeri i afërt i kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla.

"Fiton Imami i narkoshtetit! Hej xhemat! Mos harroni se ndonjëherë në qimet e mjekrës së imamit fshihet ai që qofte tretë, pra vetë shejtani. Fjalë e urtë e huaj. Për analogji në qimet e mjekrës se Imam Ylli Gurrës fshihet vet Taulant Bamirs Mond Bega! Rroftë kryeimami i narkoshtetit! Gëzuar, gëzuar! Tani edhe imamin e kemi të sojit tonë", shkruan Berisha. 

Më herët ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji akuzon qeverinë se po ndërhyn në zgjedhjet për kryetarin e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Shqipëria po vlon nga padrejtësia dhe kauza e zgjedhjeve të lira është kulmimi i saj, por qeveria që e ka ves nuk rri dot pa prishur zgjedhjet kudo të jenë! Ditën e nesërme Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvillon zgjedhjet, por qeveria duket qartasi që po ndërhyn, po njësoj dhe me të njëjtat mënyra sikur të jenë zgjedhje parlamentare! Populli thotë vesi del me shpirtin”, shprehet Salianji.

Një ditë para votimit është tërhequr nga gara kreu aktual i Komitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj.