Çollaku: Samiti i Diasporës, emigrantët janë anti-komunistë, ja kush mori pjesë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, tha gjatë një interviste për Televizionin Fax News se opozita ndihet e mbështetur nga qytetarët shqiptarë.

Çollaku foli edhe për Samitin e Dytë të Diasporës i cili ka hyrë në ditën e 2 të punimeve ku tha se sot  salla ishte e mbushur me punonjës të Ministrisë së Jashtme, sepse sipas tij, emigrantët shqiptarë janë anti-komunistë.

Ai foli edhe për qëndrimin e ndërkombëtarëve ku tha se prej tyre opozita as nuk është çuditur, as nuk është tronditur,

“Nga qëndrimet e ndërkombëtarëve as nuk jemi tronditur as nuk jemi çuditur, presim edhe deklarata të tjera, por ajo çfarë na mban të palëvizuar është se ne nuk do të bëjmë kurrë diçka ndaj popullit tonë që ata nuk ia kanë bërë popujve të tyre. Jemi të palëkundur për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku çdo shqiptarë të ketë të njëjtat të drejta si çdo qytetarë në europë”, u shpreh Çollaku.

Ai denoncoi edhe një sjellje të Ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, ku sipas tij ka shpërndarë një letër nëpër kancelaritë europiane ku shkruhet se opozita është armike e vendit.

“Ambasadori jonë në Vjenë ka shpërndarë një letër kancelarrive europiane ku në të shkruhet diçka e paimagjinueshme, se opozita është armike e vendit, dhe kjo është diçka e pandodhur ndonjëherë”, tha zyrtari i PD-së.

I pyetur se cili do të jetë aksioni i ardhshëm opozitar, Çollaku u përgjigj: “Kudo që të mblidhet Parlamenti (në Surrel, tek shtëpia e Lleshit apo në vendin e detyruar nga Kushtetuta), dhe kurdo që të mblidhet, opozita do të jetë aty prezente, duke protestuar me qytetarët dhe duke shpalosur gjithashtu alternativën politike të Partisë Demokratike”.