'Ose Shqipëri e madhe ose hiq'-Korrigjim i kufijve me të gjitha shtetet ku janë shqiptarët

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, për sa i përket çështjes së korrigjimit e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku thuhet se veriu do ti bashkohet Serbisë e Lugina Kosovës, tha për SYRI.net Kosova se kur t’i korrigjojmë kufijtë duhet që ti korrigjojmë jo vetëm me Serbinë, por  edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e vendet tjera ku jetojnë shqiptarët.

'Më lejoni me u rezervuar nga komentimi i konspiracioneve që janë poshtë e lartë tash e një kohë. 

Ajo që mund të them është,  se askujt më shumë se shqiptarëve nuk i konvenon korrigjimi i kufijve', tha Avdullah Hoti.

Shefi i deputetëve të LDK-së, shtoi se kur i korrigjojmë kufijtë duhet të shkojmë në korrigjim të kufijve edhe me Maqedoni, Malin e zi dhe në të gjitha trojet ku ka shqiptarë.

'Shteti i pavarur i Kosovës, është kompromis për çështjen shqiptare në Ballkan.

Shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion historikisht më të fuqishëm se sa janë tash dhe duhet ti ruajmë këto pozicione, t’i  avancojmë më tutje dhe t’i mbrojmë të drejtat e shqiptarëve  në të gjitha shtetet e Ballkanit', tha Hoti për SYRI.net Kosova. /B. T