Zbulohet varr masiv i epokës naziste

Ushtria në Bjellorusi ka zbuluar eshtrat e qindra njerëzve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në një varr të përbashkët. Zbulimi është kryer në vendin ku gjatë pushtimit nazist ka pasur një vendburgim për hebrenjtë..

Varri masiv u zbulua rastësisht muajin e kaluar kur po hidheshin themelet e një qendre rezidenciale në Brest, qytet pranë kufirit polak. Midis eshtrave janë gjetur edhe këpucë lëkure të pa dekompozuara.

Dmitry Kaminsky, një ushtarak që udhëheq gërmimet, konfirmoi zhvarrosjen e 730 trupave, ndërsa autoritetet janë ende të pasigurt se sa është numri i përgjithshëm. Disa prej kafkave kanë të dukshme vrimat e plumbave, që sipas ushtarakut është shenjë e ekzekutimit me një plumb pas koke.

Bjellorusia, një ish-republikë sovjetike, u pushtua nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ku u vranë dhe dhjetëra e mijëra hebrenj. Vendi ku u zbulua varri i përbashkët shërbeu nga dhjetori i vitit 1941 deri në tetor 1942 si geto, zona të krijuara nga nazistët për të ndarë hebrenjtë nga banorët e tjerë të qytetit. Përpara luftës Brest ishte pjesë e Polonisë.