Takimi i dytë Trump-Kim, përgatitjet e fundit

Po bëhen përgatitjet e fundit për samitin Trump-Kim në kryeqytetin vietnamez.

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së, Stephen Biegun, ka mbërritur në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.

Zyrtari i lartë amerikan do t’i vazhdojë takimet për detajet e fundit të samitit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, transmeton KTV.

Të dy liderët do të takohen të mërkurën dhe të enjten. Takimi i Hanoit, më 27 dhe 28 shkurt, vjen pas takimit historik të të dy liderëve në qershor të 2018-s, në Singapor.

Samiti pritet të mbahet në ndërtesën qeveritare, e cila daton që nga epoka koloniale në Hanoi.

Edhe në samitin e dytë, dy nga liderët më të përfolur në botë, pritet që për temë kryesore ta kenë çarmatimin bërthamor.