Gazetarë apo grimierë të kufomës, që po mbyt me kutërbim Europën?!

Lëvizja radikale e opozitës për të lënë zbuluar, Edi Ramën, në batakun e tij kriminalo-korruptiv, vetëm brenda 2-3 ditëve  ka bërë që në shesh të dalin gjithë bishtrat mediatik të Ramës, të cilët edhe pse krekosen dhe rrinë drejt nëpër studio televizive, prapë bëjnë çdo gjë që sërish; “bisht qeni  të mbeten”.

Nuk është e re për Shqipërinë historia e keqpërdorimit të një pjese të medias shqiptare, nga pushteti i radhës. Por po bëhemi dëshmitarë të  një niveli të paparë kurrë, të degjenerimit moralo-profesional të disa individëve që na i shesin nëpër studio si gazetarë të mëdhenj, të cilët po i imponohen opinionit publik, në një përpjekjen të dëshpëruar dhe neveritëse për të shpëtuar Ramën nga kurthi, që i ka ngritur vetvetes në këto 5 vite e gjysmë.

Nuk është çështja pse Lorenc Vangjeli, Alfred Peza, Iris Luarasi e të tjerë “profesorë” të gazetarisë, po mbrojnë Ramën e mbaruar tashmë. Problemi është, si po e bëjnë këtë. Çështja është, se nuk po mbrojnë thjesht një njeri të gjithëpushtetshëm, një kryeministër që shpërndan benefite që mund të joshin shumëkënd. Ka ndodhur kjo edhe me Berishën, Metën, Nanon, por tashmë bëhet fjalë për tu bërë apo jo palë, me një organizatë kriminalo-korruptive që po fundos vendin.

Dalin nëpër studio dhe kujdesen, që në titra të shkruhet poshtë emrit; Alfred Peza-Gazetarë, Lorenc Vangjeli-Gazetarë....

Dhe nisin e bëjnë “gazetari” që as tallësi, “matrapazi mediatik” Lumo Skëndo nuk e bënte. Nuk ndërtojnë  nekrologjinë që do të lexohet në të ardhmen “pas vdekjes”, por bëjnë makiazhin e kufomës që ka cofur me kohë, por ka ende një bordero pagesash.

Faktet, dosjet, përgjimet, “Zëri i Amerikës” të thonë që Edi Rama është kryeministër me zgjedhje të blera në bashkëpunim me narko-trafikun, këta të lëshohen në fyt e të thonë; prisni zgjedhjet e radhës dhe rrëzoheni.

Ti ju thua se e mbushi parlamentin dhe vuri në krye të bashkive trafikantë, të dënuar e deri përdhunues ordinerë, ata të thonë; ka bërë gabim që ju ka quajtur kazan!

U tregon se si po zhvat së bashku me një grusht klientësh, pasuritë e përbashkëta dhe financat e taksapaguesve shqiptarë, nëpërmjet koncesioneve deri 30 vjeçare, tenderimeve korruptivë, ligjeve të tipi “Fusha”, etj, ata të thonë; gabim që lëshon batuta të tepruara ndaj kundërshtarëve dhe vesh atlete e çitjane!

Ti ju thua se ajo që ndodhi me kanabisimin e vendit, shndrimi i Shqipërisë në nyjë ndërkombëtare të trafikut të drogave të forta, shkatërruan integrimin e vendit në BE dhe kriminalizuan ekonominë, ata të thonë; kjo që po bën opozita me mandatet, prish imazhin e vendit, tremb turistët dhe investitorët e huaj!

Shqiptarët presin nga këta gazetarë “të mëdhenj” të bëjnë gazetari, si kolegët italianë, (por jo vetëm) që vijnë e kopsitin investigime ku trafikanti i drogës deklaron me zë e me figurë, se paratë e drogës kanë blerë zgjedhjet e shkuara dhe do të blejnë edhe ato që vijnë, pra pushtetin e Ramës, Lenci, Fred “Mister 1 milionshi” e Iris “gazetarja” që  nuk ka bërë një shkrim në jetë të vetë, të thonë; Rama duhet të reflektoj pak, nuk duhet të jetë shumë arrogant me gazetarët që e kritikojnë! 

E kështu natë për natë nëpër studio, duke shpalosur një aradhë- maskaradë, të cilën as eteri pa kufi i portaleve nuk e nxë, vazhdojnë të bëjnë makiazhin e kufomës që pasi qelbi Shqipërinë, po mbyt me kutërbim gjithë Europën.

Ka një moment në jetën e njeriut, kur për hir të fytyrës origjinale që mban përpara familjarëve, miqve, fëmijëve, gjitonëve, kolegëve, duhet ti thuash mjaft, keq e vetë-përdorimit publik. Sado i madh që të jetë benefiti që humbet vjen një moment, kur fytyrën tënde, imazhin, karakterin, integritetin profesional duhet ta llogarisësh si një thesar para të cilit nuk ka vlerë, asnjë lloj tjetër pasurie që do ti lësh fëmijëve dhe familjes.

Por këtë duhet ta kuptosh në kohë, përndryshe gjithë jetën do kutërbosh njësoj si kufoma të cilën përpiqesh ta ngjallësh më kot me makijazh!