Djegia e mandateve?! Basha mbledh Grupin parlamentar të PD

“Kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimarrëse të PD djegien e mandateve parlamentare”.  Kjo ishte deklarata e fortë e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, një ditë pas protestës kombëtare të 16 shkurtit.

Sot, mësohet, se Basha ka thirrur në orën 10:00, mbledhjen e Grupit parlamentar demokrat dhe ku pritet që të shtrohet pikërisht ky propozim. Megjithatë, ende nuk janë zbuluar të gjitha hapat e mëtejshëm të opozitës për të arritur synimin, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

NGA FJALA E KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA, PAS PROTESTËS:

Mesazhi juaj është i qartë: Kështu nuk vazhdohet më!  Kupa është mbushur dhe është derdhur. Thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.

Ne nuk do të vazhdojnë të jemi më fasadë e një Parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar. Mbështetja juaj, e dëshmuar dje, mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen politike, të ofruar nga opozita. Ndaj, une jam sot këtu per t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj.

Ndaj, kam vendosur t’i propozoj Grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimarrëse të PD, djegien e mandateve parlamentare, në mbështetje të  qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme:

Mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shqipërinë si gjithë Europa! Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Parlament të popullit dhe jo të krimit.