Djegia e mandateve shënon fundin e stabilokracisë

Që protesta e djeshme ishte një nga më të mëdhatë që është organizuar në tri dekadat e fundit, nuk pohohet vetëm nga opozita, por edhe nga heshtja e kundërshtarëve politikë, dhe kasnecëve të tyre mediatikë, të cilët e lanë mënjanë xanxën e kahershme të shifrave dhe pamjeve të vjedhura me fluturakët spiunë.

Basha e lexoi pjesëmarrjen si një referendum ndaj qëndrimeve të mbajtura nga Opozita dhe, për pasojë, sot bëri një deklaratë zhurmëmadhe e cila prishi limontinë e së dielës politike. “I kam propozuar grupit parlamentar të PD dhe forumeve më të larta të PD djegien e mandateve parlamentare”- tha kreu i demokratëve, duke nisur kështu njën kapitull të ri në jetën politike të vendit.

Pra, nga sot, kriza merrë trajta të panjohura, të cilat do të komentohen gjatë në ditët në vijim. Megjithatë, përpara se të mendojmë për trajektoret e fatit politik të vendit, duhet kujtuar edhe një herë arsyeja kryesore që prin atë varg akuzash të cilat po shtyjnë Bashën drejt radikalizmit të qëndrimeve. Ajo është “paqja e keqe” e vitit 2017, e cila prodhoi zgjedhjet e 25 qershorit, që shënuan apogjeun e krizës krim, para dhe administratë në funksion të tjetërsimit të votës.

Ky tashmë nuk është më një spekulim politik, nga pala e lënduar, por fakt i provuar nga përgjimet e prokurorisë dhe publikimet e “Zërit të Amerikës”. Pra, Parlamenti që lindi në 25 qershor, nuk duhet dhe nuk mundet të legjitimohet më. Prej dy vitesh mazhoranca po prodhon ligje, politikë të jashtme dhe politika ekonomike që nuk pasqyrojnë një produkt të mirëfilltë politik, pasojë e një dialektike të shëndetëshme mazhorancë-opozitë, por vendime autoritare të dala nga vullneti arrogant i një kryeministri që mbretëron i vetëm dhe vetëm për ata që i kanë siguruar atij fitoren.

Të tolerosh gjallimin e mëtejshëm të kësaj mazhorance do të thotë të lejosh kalcifikimin e kësaj situate, me kosto të paimagjinueshme për ardhmërinë. Si metaforë, për të ilustruar mbajtjen e “plaçkës së vjedhur” nga ana e mazhorancës, mund ta krahasojmë me situata të ngjashme në botën e sportit. Kush kapet në hile, apo me doping, dorëzon titullin dhe penalizohet; ndërsa te ne, në garën tonë elektorale, ata që “droguan” zgjedhjet, me paratë e hashashit, mbajnë me krenari mandatet e turpit.

Me “lojën” politike të prishur, ku kundërshtari gëzon një avantazh jo të ligjshëm, të vijosh të “luash” do të thotë të legjitimosh thellimin e pabarazisë në rezultate dhe një qeveri që nuk është nga populli, për popullin dhe me popullin; por nga niçet, për niçet dhe me niçet. E nëse nga njëra anë ky akt politik i Opozitës i jep goditjen përfundimtare një Parlamenti ilegjitim; nga ana tjetër shënon nisjen e një sfide edhe më të madhe, atë kundër “stabilokracisë”. Një term që përshkruan qasjen e Perëndimit kundruall politikës Ballkanike, duke mbështetur qeveritë që sigurojnë stabilitet në marrëdhëniet me jashtë, por brenda luhatet midis demokracisë dhe autoritarizmit. Ilustrimi më i mirë për të kuptuar këtë qasje vjen po ashtu nga protesta e djeshme. Kur protesta arriti klimaksin e saj, ambasadat e akredituara në vendin tonë bënë vrik apel për ndaljen e dhunës. Paradoksalisht, këtij apeli iu bashkua edhe Ambasada Franceze, e cila i kërkoi shqiptarëve të jenë “më francezë se francezët” që prej muajsh kanë braktisur çdo lloj mëshire ndaj pronës publike, kur bëhet fjalë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Dhe kur “kërpudha” e Ramës vlerësohet më shumë se Harku i Triumfit, do të thotë që ka diçka tmerrësisht të padrejtë në stabilokracinë që po na imponohet. Për këtë arsye, nëse opozita do të çojë deri në fund aktin e saj, i cili bash me Ramën sfidon edhe qasjen hipokrite të ndërkombëtarëve, nuk do të ketë fituar vetëm ajo, por edhe qytetarët shqiptarë.

Të cilët kanë tridhjet vite që kërkojnë që ky vend të bëhet si gjithë Europa, dhe jo siç do Europa.