Formula 1/ Prezantohet Red Bulli i ri, ‘kërcënohet’ Mercedezi

Merr jetë Red Bulli i ri, makina që do të synojë me një talent të padiskutueshëm si Max Verstappen të zbresë Mercedesin nga froni.

Pak orë pas prezantimit të Mercedes, ka qenë radha e Red Bull për të zbuluar njëvendëshen e re, me të cilën do të garojë në Botërorin 2019 të Formula 1.

Makina e re do të quhet RB15 dhe do të pilotohet nga holandezi Max Verstappen e francezi Pierre Gasly.

Ndryshimi kryesor i makinës austriake është padyshim motori i ri që do të përdorë këtë sezon, ai Honda, duke divorcuar nga Renault, me të cilin fitoi 4 tituj kampion (2010-2013).

Pavarësisht kësaj, enigma se si do të paraqitet motori i ri lë të gjithë në pritje të testeve të para dimërore.

Për Max Verstappen, nuk ka asnjë dyshim. Motori Honda do të jetë arma me të cilën ai do të synojë titullin kampion në Formula 1.