Rikthehet pas 20 viteve me të njëjtin formacion Bayern vs Manchester

Manchester United do të festojë 20-vjetorin e triumfit të fundit në Champions League në një ripërsëritje të asaj sfide me të 22 lojtarët, si nga ‘Red Devils’ ashtu edhe nga Bayern Munchen.

Ndeshja do të jetë bamirësie, por pritet të rikthejë në memorien e futbolldashësve edhe emocionet e asaj finaleje të çmendur.

Për ironi të fatit, njeriu që kthehu fatet e finales së 1999 në ‘Camp Nou’ është Ole Gunnar Solskjaer, trajneri aktual i Manchester United.

Ndeshja parashikohet të luhet më 26 maj, fiks 20 vjet pasi Sir Alex Ferguson dhe djemtë e tij u shpallën kampionë të Europës në futboll.

Eventi po organizohet nga ‘Manchester United’s Foundation dhe çdo futbollist i aktivizuar në atë finale ka konfirmuar pjesërmarrjen.

Ndeshja pritet të grumbullojë shumë të ardhura, të cilat u shpërndahen fëmijëve në nevojë në të gjithë botën.

Një burim nga klubi anglez është shprehur se: ‘Të risjellësh dy ekipet bashkë për një kauzë kaq të madhe nuk ka qenë shumë e lehtë, por secili ka qenë i gatshëm. Lajmi është fantastik dhe do të jetë një ndeshje në fund të sezonit për tu mos harruar’.

Fansat në të gjithë botën kujtojnë se, në finalen e 1999, Manchester United i mjaftuan dy gola në minutat shtesë me autorë Sheringham dhe Solskjaer, për të zhvlerësuar golin e Bayern Munchen me autor Mario Basler.

Atë vit Manchester United kompletoi tripletën duke fituar edhe Premier League e FA Cup.