E joshi për ta bërë këshilltare të saj, aktivistja i bën kundër-ofertë ministres!
Një nga aktivistet më të zëshme në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, e cila për një vit rresh së bashku me një grup artistësh nuk e ka braktisur këtë kauzë, së fundmi ka marrë një ofertë nga ministria e re e Kulturës Eva Margariti, për tu bërë këshilltare e saj.
Por reagimi i Elona Caslli ka qenë jo vetëm refuzimi, por edhe një ‘kundër-ofertë’.
Aktivistja e njohur i ka shkruar ministres Margariti, se’ nëse përkushtimi Juaj ndaj kulturës dhe artit shqiptar është i përveçëm, atëherë Ju ftoj në Sheshin e Teatrit Kombëtar në orën 18:30 çdo mbrëmje.
Aty do të keni rastin të takoheni me artistë, të cilët , me punën e tyre e kanë identifikuar Shqipërinë në kontekst europian. Artistë, të cilët përfaqësojnë hartën kulturore të Shqipërisë në Europë.
Jam e bindur se një bisedë e gjatë me ta, do të kthjellonte vizionin dhe misionin Tuaj’.
Reagimi i plotë i aktivistes për mbrojtjen e Teatrit, Elona Caslli
Takohemi në Sheshin e Teatrit Kombëtar Znj. Ministre
Duke qenë se përmes një mediumi njerëzor, më përcollët konsideratën Tuaj të lartë Znj. Ministre dhe më ftuat të isha Këshilltarja Juaj në Ministrinë e Kulturës, e quaj të dobishme që t’Ju ftoj në Sheshin e Teatrit Kombëtar, ku unë, gjendem çdo mbrëmje.
Mediumi njerëzor, nënvizoi faktin se Ju i çmoni ‘ zërat kundër’ dhe jeni e hapur për bashkëpunim kurdo dhe kudo.
Nëse përkushtimi Juaj ndaj kulturës dhe artit shqiptar është i përveçëm, atëherë Ju ftoj në Sheshin e Teatrit Kombëtar në orën 18:30 çdo mbrëmje.
Aty do të keni rastin të takoheni me artistë, të cilët , me punën e tyre e kanë identifikuar Shqipërinë në kontekst europian. Artistë, të cilët përfaqësojnë hartën kulturore të Shqipërisë në Europë.
Jam e bindur se një bisedë e gjatë me ta, do të kthjellonte vizionin dhe misionin Tuaj.
Post scriptum- Ju falenderoj paraprakisht për vëmendjen dhe vlerësimin. Nuk mund t’i përgjigjem pozitivisht ftesës Suaj, pasi unë besoj, se Këshilla më e mirë për Artin buron vetëm nga Sheshi i Teatrit Kombëtar.
Sinqerisht
Elona Caslli