UEFA merr këtë vendim pas tragjedisë që i mori jetën Emiliano Sala

UEFA ka konfirmuar se në çdo ndeshje të Champions Leagues dhe Europa Leagues, do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të Emiliano Sala i cili humbi jetën pas aksidentit tragjik me avion.

Shtëpia më e madhe e futbollit europian ka bërë të ditur se të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në të dyja kompeticionet do ta nderojnë sulmuesin argjentinas.

“Në emër të UEFA-së, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe më të dashurve të Emiliano Salas për këtë humbje të madhe”, ishin fjalët e presidentit Aleksandër Ceferin

Trupi i pajetë i Salas u gjet javën e kaluar, pasi aeroplani me të cilin po udhëtonte nga Franca për në Cardiff ishte rrëzuar në brigjet e Anglisë.

Argjentinasi ishte duke kryer transferimin 20 milionë euro nga Nantes për në Cardiff City, por aeroplani u rrëzua për shkak të kushteve të këqija atmosferike.