Ish-deputetja e PS lëshon bombën: Nëse bëhet mocion në Kuvend, Rama nuk e fiton

E ftuar përballë gazetarit Ilir Babaramo në Report Tv, ish deputetja socialiste Arta Dade thotë se Edi Rama do ta humbiste një mocion besimi në Kuvend. Sipas saj, grupi parlamentar i PS do votonte për largimin e tij nga qeveria. 

Ish-deputetja socialiste tha se ajo shkëmben vazhdimisht SMS me ish-kolegët e saj në Kuvend dhe këtë mendim ndajnë edhe ata por kanë preferuar të heshtin. 

"Nëse do ketë një votim të fshehtë në Kuvend. Një mocion dhe votimi të jetë i fshehtë, Rama nuk e fiton grupin parlamentar. Kam marrë shumë mesazhe dhe mendojnë shumë si puna ime, por nuk kanë kurajo. Opozita e tanishme nuk besoj se vërtetë e dëmton Ramën, por e kanë forcuar sepse kanë qenë inekzistentë", tha ish-deputetja socialiste, Arta Dade. 

Arta Dade, një zë i fortë i socialistëve por edhe ish Ministre e Jashtme, prej disa kohësh ka dalë publikisht kundër vendimeve të kryeministrit Edi Rama. Sipas saj, ky i fundit po i shërben një grup njerëzish pranë tij dhe jo PS-së.