Angjeli në krye të KLSH?! Përgjigjet Ilir Meta: Propozimet e presidentit nuk synojnë sundimin e shumicave!

Presidenti i Republikës Ilir Meta, i pyetur sot nga gazetarët nëse deputeti socialist Anastas Angjeli do të jetë kandidatura e tretë e vërtetë në krye të KLSH-së, u ka dhënë një përgjigje diplomatike gazetarëve: “Zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit...synojnë forcimin e sundimit të ligjit në këtë vend dhe jo të sundimit të shumicave.”

Pyetje: Mazhoranca ka rrëzuar dy kandidaturat tuaja për kreun e lartë KLSH-së. Është përfolur se Anastas Angjeli do të jetë në këtë post. A do të jetë ai kandidatura e tretë e vërtetë?

Meta: Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit të Republikës synojnë forcimin e institucioneve të pavarura dhe gjithmonë këtë gjë do të synojnë. Synojnë forcimin e sundimit të ligjit në këtë vend dhe jo të sundimit të shumicave.

Pyetje: Zoti President, si e shikoni vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, që e zhbën vendimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe e dënon atë me 25 vite burg?

Meta: Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të BE-së, z. Soreca dhe KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihet në lëvizje për të vlerësuar , verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë./ar.sh/SYRI.NET