FOTO/ Merr fund martesa e Palomës me ish-presidentin, ishte strategji politike?

Ish-zonja e parë e Meksikës dhe aktorja e njohur për rolin e Palomës në serialin “La Gaviota”, i ka dhënë fund martesës me bashkëshortin e saj, Enrique Pena Nieto. Dy muaj pasi Nieto përfundoi mandatin presidencial, i cili u shoqërua nga disa skandale, më në fund u bë publik edhe lajmi për divorcin e çiftit.

Rivera është aktore e njohur e serialeve televizive dhe tani që martesa mori fund, kritikët politikë janë të bindur se ish-presidenti, martesën me aktoren e kishte për efekt marketingu, për të rritur imazhin e Pena Nieto-s në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2012.

Më herët gjatë kësaj jave, revista "Hola" shkruante se çifti janë ndarë që në muajin dhjetor; 6 vjet pasi u mbyll edhe mandati i Pena Nieto-s.

Në një mesazh të shkurtër të publikuar në mediat sociale, Rivera tha se ka bërë të pamundurën për ta mbajtur gjallë martesën e saj, por “është një situatë e dhimbshme”.

“Sot, e gjithë energjia ime, forca dhe dashuria janë fokusuar në vazhdimin e të qenit nënë e mirë, në rikuperimin e jetës dhe karrierës profesionale”, – shkruante Rivera.

Në vitin 2014, shumë meksikanë u revoltuan kur mësuan se Rivera jetonte në një shtëpi luksoze, milionadollarëshe, e cila ishte e regjistruar nga një ndërtues që kishte përfituar nga kontratat publike.

Asokohe, aktorja tha se kishte blerë rezidencë të ligjshme me të ardhurat që kishte fituar nga karriera e saj, por dyshimet nuk u shuan as pas kësaj.

Dalja e fundit e Rivera-s dhe Pena Nieto-s, ishte më 15 shtator, me rastin e festimeve në Ditën e Pavarësisë së Meksikës. Por çifti u pa edhe në janar, në funeralin e një udhëheqësi të shquar të Partisë Revolucionare Institucionale.

Sipas "Hola", çifti ka ruajtur raporte shumë të mira edhe pas divorcit. Pena Nieto dhe tre fëmijët e tij janë ende në Meksikë, ndërsa Rivera dhe fëmijët e saj kanë shkuar në rezidencën e saj në Shtetet e Bashkuara.

Pena Nieto dhe Rivera u martuan në vitin 2010, kur ai ishte guvernator i shtetit të Meksikës. Kjo ishte martesa e dytë për secilin.