Cungu e mban vetë fajin për humbjen. Deklarata e sinqertë e teknikut të Kukësit

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, foli pas humbjes me Tiranën, e cila i prish jo pak punë në garën për titullin kampion.

Ndodhi ajo që po ndodh që në fillim të këtij sezoni të ri. Ekipi nuk po shfaqet me atë nivel si në dy fazat e para. Bëmë një pjesë të parë shumë të dobët, ndryshuam edhe në pjesën e parë vendosjen në fushë. Ekipi pati më shumë grintë në pjesën e dytë, por pësuam një gol karrambolesk, por edhe për përgjegjësi timen. Hodha të gjithë në sulm, edhe Shametin”, tha tekniku i verilindorëve.

Në lidhje me diferencën prej 8 pikësh tashmë me Partizanin, Cunga tha: “Më shumë kemi folur për titullin kampion, sesa kemi dhënë në fushë. Më shumë kemi dalë të parët me flamur, për mediat, dhe jo në fushë. Te Partizani kanë ndenjur më shumë me këmbë në tokë, dhe kanë bërë më mirë se ne. Kemi marrë 5 të rinj, dhe duan kohë. Mund të më gjykoni moralisht, por blerjeve i duhet dhënë mundësi të shfaqin veten. Deri tani, nuk janë lidhur akoma me ekipin, por në një farë mënyrë kemi prishur fizionominë e lojës. Kjo është përgjegjësia ime”.