Skënderbeu fitoi 200 mijë euro nga shitja e tij, Fidan Aliti tregon pse zgjodhi klubin suedez

Fidan Aliti është gati për aventurën e tij të re. Pasi u prezantua si blerja më e re e suedezëve të Kalmar, mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës i intervistuar nga mediat suedeze ka folur për këtë eksperiencë të re në karrierën e tij dhe ka përse zgjodhi Kalmarin kur në drejtim të tij kishte oferta edhe nga klube më të njohura.

Skënderbeu përfitoi rreth 200 mijë euro nga shitja e 25-vjeçarit, ndërsa mund të arkëtojë të tjera para ashtu siç ndodhi me Peter Olayinkan në rast se Aliti do të shitet sërish pasi korçarët kanë një përqindje të vogël të kartonit të tij.

Titullari i Kosovës zgjodhi Kalmarin dhe i gjithë synimi ishte që të shkonte në një ekip ku të ndihej i rëndësishëm: “Është e vërtetë, ne folëm me disa klube. Ishin disa klube që më donin, siç është shkruar në media. Për mua ishte e rëndësishme që të ndihesha mirë aty ku do shkoja dhe Kalmari ma jep atë ndjenjë. Më kanë bërë të ndihem mirë dhe më kanë ofruar atë ndjesinë që do të jem i rëndësishëm këtu. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, tregon Aliti për “Fotbollskanalen”.

Kalimin te Kalmari qendërmbrojtësi e vlerëson, teksa shton: “Është një hap i madh përpara për mua. Gjithsesi klubi vjen i pari dhe më pas unë. Do përpiqem të ndihmoj ekipin me të gjithë mundësitë që kam. Do bëj gjithçka për klubin”.