Aleksander Ceferin merr mandatin e dytë në krye të UEFA-s

Aleksander Ceferin rizgjidhet në krye të UEFA-s për një mandate tjetër 4-vjeçar, gjatë punimeve të Kongresit të 43-të të Zakonshëm të UEFA-s në Romë.

51-vjeçari slloven, i cili u zgjodh presidenti i shtatë i UEFA-s në shtator të vitit 2016 pas largimit të francezit Michel Platini, u konfirmua sot me votë unanime nga delegatët e 55 federatave anëtare të UEFA-s.

Ai u zotua se “uniteti, shpresa, respekti dhe solidariteti” do të ishin elementët kyç në strategjinë, misionin dhe aktivitetet e UEFA-s gjatë mandatit të ri presidencial të tij.

“Futbolli evropian duhet të mbetet respektues, i respektuar dhe i nderuar. Faleminderit sërish që më besuat. Jam i emocionuar dhe i nderuar njëkohësisht”, tha Ceferin pasi fitoi mandatin e dytë në krye të UEFA-s.