Marotta siguron Spallettin: Do të jetë trajneri ynë edhe për vitet e ardhshme

Administratori i Deleguar i Interit, Giuseppe Marotta, dha një intervistë për mediat italiane, ku foli për momentin e vështirë që po kalon skuadra zikaltër gjatë javëve të fundit, ku mungon ende fitorja në kampionat për vitin 2019 dhe madje janë eliminuar nga Kupa e Italisë.

Ai theksoi se skuadra ka në përbërje elementë mjaft cilësorë, të cilët kanë arritur me meritë të çojnë skuadrën në vendin e tretë të renditjes, ndërsa ka pranuar se ka nevojë që grupi të përmirësohet.

“Po kalojmë një moment të vështirë, për të qenë të sinqertë, por të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe të kontribuojmë sa më shumë, që të dalim nga kjo situatë. Duhet të tregojmë një karakter më të fortë dhe të jemi më determinantë në momente të caktuara. Gjithashtu duhet të përmirësojmë edhe aspektin fizik”, tha Marotta.

Humbja e fundit me Bolognën ka bërë që në Itali të qarkullojnë zëra që flasin për një lëkundje të besimit mbi Luciano Spallettin, por nuk është i këtij mendimi Marotta, i cili thekson se tekniku do të jetë në stolin zikaltër edhe për shumë vite.

“Spalletti mund të qëndrojë i qetë, sepse ka punuar shumë mirë dhe do të jetë ai trajneri ynë edhe për vitet e ardhshme. Kemi besim te puna e tij dhe shoqëria ka vendosur ta lërë në krye të skuadrës, për të na udhëhequr drejt ngritjes në nivele të larta”, tha Administratori i Deleguar zikaltër.