Greqia shkundet nga tërmeti 5.2 ballë, ndihet në Janinë dhe Lefkadha

Një tërmet me magnitudë 5.2 ballë të shkallës Richter goditi zonën detare të Greqisë veriperëndimore në orët e para të mëngjesit të të martës. Nuk ka njoftime për të plagosur apo dëme materiale.

Tërmeti goditi në orën 4:26 dhe epiqendra e tij ishte 14 km larg brigjeve të Prevezës dhe 294 km në veriperëndim të Athinës, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar.

Lëkundjet u ndien në qytetin e Janinës, ndërkohë që shërbimet kundër zjarrit inspektuan zonën për dëme të mundshme në infrastrukturë.

Duke folur në radio Skai, kryebashkiaku i Prevezës Cristos Bailis tha se zona kohët e fundit ishte tronditur nga një tjetër tërmet 4.4 ballë.