Darka e Gjarprit

Më në fund edhe Hashim Thaçi, është bërë me shtëpi të re. E ku ka më mirë sesa të ftosh ajkën e politikës, me këtë rast..

Nuk mund të mungojë aty Edi…Bashkëmendimtar i Presidentit të Kosovës dhe adhurues i flaktë i tij. 

Anash rivalitetet, por të pashmangshëm janë Kadriu, Ramushi, Fatmiri, Behgjeti, partnerët e koalicionit. Anipse një karrige dukej e zbrazur, aty me siguri ka qenë ulur autori i shkrepjes që u bë më pas virale. 

Politikisht, mendja të shkon te Shpend Ahmeti. Logjikisht, me siguri bëhet fjalë për Batonin. Gjithsesi, le t’i lëmë spekulimet.

Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Behgjet Pacolli, janë në favor të ndarjes së Kosovës. 

Dikush mund të thotë, po ata nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë me gojën e tyre…Prisni ju deri sa ata të dalin hapur…

Nuk ndodh një gjë e tillë. Ujku mjegull do. Edhe mbështetësit e ndarjes, e duan terrin informativ. 

Plani i tyre është hetuar prej kohësh, por a do të parandalohet apo jo? Kjo është çështja!

Ramush Haradinaj, është i flaktë kundër cënimit të territorit, ashtu si edhe për mbajtjen e taksës ndaj Serbisë deri në njohjen e pavarësisë sonë nga ky vend. 

Të paktën deri tani. Fatmir Limaj gjithashtu. Kadri Veseli, po përpiqet të jetë i moderuari, në emër të marrëdhënieve me Amerikën. 

Shpesh janë raportuar mosmarrëveshje edhe mes tij dhe ish-liderit të PDK-së, sot President i Kosovës.

Darka private, që u bë publike, i përzien bindet dhe i zbeh pritjet për ruajtjen e Republikës.

Ka disa argumente për këtë konstatim. Me shpejtësi të rrufeshme në një natë të gjatë parlamentare, kaluan ligje të rëndësishme për shtetin, dialogu, financimi i partive,buxheti, nivelizimi i pagave, administrata, pensionet…

Pasuan lajmet për zhbllokimin e emërimeve në diplomacinë kosovare. 

Koalicioni, tejkaloi një moment të fortë krize, por a e ka zgjidhur edhe çështjen e taksës?!

Një skenar qarkullon për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, që i hap rrugën vazhdimit të dialogut drejt marrëveshjes finale. 

Ideja e është e thjeshtë. Vendimi qeveritar votohet, Haradinaj mbivotohet, taksa pezullohet. Të gjithë të lumtuar dhe stoikë!

Deri kur se? 

Gjarpri nuk thërret shpesh për darkë, sepse helmi i duhet për kategori të ndryshme. 

Se si ka vepruar kësaj here, do e shohim ditëve të ardhshme.
 
Për të ftuarit, kjo darkë mund të ketë pasur shije të mirë, por për publikun, më shumë se e hidhur!

Botuar në SYRI.net KOSOVA