FSHF nuk plotëson kërkesën e Kukësit

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk ka mundur t’u bëjë një dhuratë tifozëve në qytetin verilindor: zhvillimin e ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë me Apoloninë në “Zeqir Ymeri”.

Në njoftimin e klubit kuksian sqarohet se Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka bërë asnjë lëshim me pretendimin se ky impiant nuk i plotëson kushtet.

“Ndeshja e kthimit mes FK Kukësit dhe KF Apolonisë, takim i vlefshëm për 1/8 e Kupës së Shqipërisë, do të zhvillohet ditën e mërkurë ora 13:30 tek kompleksi sportiv “Internacional”, në Pezë Helmes.

Me gjithë dëshirën e madhe të presidentit Safet Gjici për zhvillimin e ndeshjes në stadiumin “Zeqir Ymeri”, kërkesa e Klubit tonë nuk u pranua nga Federata Shqiptare e Futbollit pasi, sipas institucionit më të lartë të futbollit shqiptar, stadiumi i Kukësit nuk plotëson kushtet dhe aktualisht po punohet për studimin e fizibilitetit.

Pas marrjes së kësaj përgjigje, drejtuesit e Klubit vendosën që kjo ndeshje të realizohet në kompleksin sportiv “Internacional” dhe hyrja do të jetë pa pagesë për tifozët”, sqaron kubi i Kukësit.