Barcelona në ankth për Messin, sot përcaktohet nëse do të luajë të mërkurën kundër Realit

Leo Messi shkoi në shtëpi i heshtur të shtunën, pas goditjes që e mori në kofshën e këmbës së djathtë, e cila ia pamundësoi të luajë me kapacitet të plotë në 22 minutat e fundit të ndeshjes ndaj Valencias.

Tani, ai duket i gatshëm për t’u paraqitur në El Clasicon me Realin e Madridit në Kupën e Mbretit të mërkurën në “Camp Nou”.

“Asgjë serioze”, është përgjigja e atyre që e dinë shkallën e dëmtimit të Messit, i cili e njeh shumë mirë trupin e tij dhe ka nevojë për pushim.

Superylli argjentinas e shijoi të dielën duke pushuar, pasi klubi i dha ditë pushimi të gjithë stafit.

Ndërsa sot rreth mesditës, Messi do të rikthehet në “Ciutat Esportiva”, ku do të ekzaminohet nga shërbimi mjekësor i klubit dhe do të analizohet nëse ekziston rreziku që ai të lëndohet më shumë.

Ky është një faktor që Barça duhet ta ketë parasysh duke parë kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve në shkurt.

Kupa e Mbretit është trofeu i tretë për nga rëndësia dhe të mërkurën në orën 21:00, Barça do ta zhvillojë ndeshjen e parë gjysmëfinale, por rivali është Real Madridi dhe argjentinasi është i etur të ballafaqohet me rivalin e përjetshëm, pasi nuk luajti në El Clasicon e tetorit për shkak se e kishte thyer dorën.

Gjithsesi, sot do të përcaktohet nëse Messi do të luajë apo jo mbrëmjen e së mërkurës kundër rivalit historik të katalanasve, Realit të Madridit.