VIDEO/ Katari shkruan historinë, fiton për herë të parë Kupën e Azisë

Katari ka fituar për herë të parë në histori Kupën e Azisë, pasi ka mundur 3-1 Japoninë në finalen e luajtur në "Zayed Sports City Stadium" të Abu Dabit.

Vetëm 12 minuta i janë dashur skuadrës të drejtuar nga spanjolli Sanchez për të zhbllokuar ndeshjen me Almoez Ali, i cili është bërë lojtari me më shumë gola të shënuar në një edicion të Kupës së Azisë (9), një më shumë se Ali Daei, i cili realizoi tetë për Iranin në edicionin e 1996-ës.

Pjesa e parë është mbyllur 2-0 pas golit të mrekullueshëm të shënuar nga Abdulaziz Hatim (27'), ndërsa në pjesën e dytë ka ardhur reagimi i japonezëve, që kanë ngushtuar diferencat me Minamino (69').

Ky ka qenë edhe goli i parë i pësuar nga Katari pas 10 orësh e tetë minutash të luajtura në këtë kompeticion.  Gjithsesi, lojtarët e Sanchez kanë gjetur edhe golin e tretë me Akram Afif (82'), i cili ka shënuar me penallti.

Katar bëhet kombëtarja e nëntë që fiton Kupën e Azisë, me tre nga katër edicionet e fundit që kanë dhuruar një kampion të ri (Iraku në 2007-ën, Australia në 2015-ën dhe Katar në 2019-ën).