Turan rrezikon 12 vite burg, pretendimi i lojtarit turk: Mbrojtja nderin tim

Arda Turan është duke u ballafaquar me dënimin e rëndë që mund të marrë, i cili konsiston në 12 vjet e gjysmë.

Futbollisti turk mund të përfundojë në burg për shkak të një sulmi të dyshuar ndaj këngëtarit turk Berkai Sahin, jashtë një klubi nate.

Ky incident ka ndodhur në muajin tetor dhe pamjet janë publikuar asokohe nga një media turke.

Sipas asaj që raporton “Marca”, lojtari i Bashakshehirit është duke u përballur me një sërë akuzash duke përfshirë ngacmimet seksuale, gjuajtje me armë zjarri, prishje të qetësisë publike si dhe shkaktimit të lëndimeve dhe dëmtimeve fizike dhe psikologjike.

Sipas asaj që mediat turke raportojnë, Sahin ishte me gruan e tij Ozlem Ada në një klub nate në Stamboll, kur Turan ka ngacmuar seksualisht gruan e këngëtarit. Ai mësohet t’i ketë thënë: “Ju jeni shumë e bukur, nëse nuk do të ishit e martuar nuk do t’iu kisha lënë të largoheshit”.

Situata u bë më e rëndë për faktin se pas sherrit masiv tek klubi i natës, çdo gjë ka vijuar dhe në spital, ku Turan ka shkuar me armë zjarri.

Klubi i tij e ka dënuar turkun më një gjobë prej 370 mijë eurosh, ndërsa ai nga ana e vet është duke mbrojtur veten, duke thënë se çdo gjë është bërë për nderin dhe pastërtinë e tij.