Vendimi i Qeverisë/ Ndalohet peshkimi me grep, dhe rrjeta

Gjuetia me grep nuk do të praktikohet më nga qytetarët e Shqipërisë. Është pikërisht një vendim i qeverisë i cili do ndalojë tashmë peshkimin me mjete lundruese, grepa ose rrjeta.

Vendimi tregon se çdo qytetar i cili do të dalë të peshkojë me mjetet e lartpërmendura do të duhet të rregjistrohet në shoqata në nivel qarku ose shoqata më të mëdha.

“Në ka sektor peshkimi sot, që është jashtë organizimit, jashtë kontrollit, jashtë monitorimit, jashtë kushteve higjieno-sanitare, jashtë çfarëdolloj parametri, ai është peshkimi i vogël bregdetar, duke filluar nga gryka e Bunes në kepin e Stillos. Ne kemi sot peshkimin që gjuhet, çdo njeri që ka shtëpi para detit kërkon të hyjë në det. Ky ligj thjesht kërkon t’i organizojë ato për të gjitha këto arsye që u përmendën”, tha Arian Palluqi, drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë.

Por, ndryshimet në ligjin për peshkimin përfshijnë edhe gjuetinë në det të hapur. Raportimet mbi sasitë e kapura të peshkut do të bëhen që gjatë kohës që anija është në det, përmes një sistemi dhe pajisjeje të re, e cila duhet të vendoset nga të gjitha anijet e peshkimit me detyrim.

“Ka një kosto tjetër shtesë për peshkatarin. Atë detyrim që ai e ka sot për ta bërë me letra, kur vjen në port që dorëzon peshkun, duhet ta bëjë që në det me raportimin elektronik. Kjo pajisje e mundëson”, tha më tej Arian Palluqi.

Sektori i peshkimit në Shqipëri po zgjerohet. Statistikat e vitit 2017 flasin për rreth 8.300 tonë peshk të kapur në ujërat shqiptare.