Paloka: Ministria na ka bllokuar informacionin, të zgjatet komisioni hetimor

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend ka kërkuar shtyrjen e mëtejshme të afatit të komisionit hetimor për implikimin e strukturave të policisë në trafikun e drogës.

Ai ka denoncuar problemet me të cilat po përballet Komisioni Hetimor për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e institucioneve shtetërore.

Ai foli për kërkesat e disa institucioneve shtetërore për të shtyrë afatin për kthimin e përgjigjeve lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga komisioni hetimor, afate që gjithsesi ishin absurde qysh në fillim.

“Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë në krye të institucioneve që refuzojnë të kthejnë përgjigje lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga komisioni hetimor dhe në disa raste, kërkesave tona u përgjigjen me kërkesa për shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit,- tha Paloka. - Disa herë gjatë 2018-s kemi marrë kërkesa për shtyrje afatesh për dokumentacion, me alibinë se kërkohet një volum i madh pune, por s’kemi marrë asnjë dokumentacionin e kërkuar. Për të gjitha këtë problematikë, - vijoi më tej kryetari i komisionit hetimor parlamentar,- unë kam kërkuar që ju t’i ktheni dinjitetin e duhur parlamentit dhe të ndaloni më tej vijimin e këtij bllokimi antikushtetues.

Opozita, të vetmen mundësi që ka janë parlamenti, komisionet hetimore, por nëqoftëse këto instrumente bllokohen, sepse dihet historia e komisioneve hetimore dhe e marifeteve tuaja me ndryshimin e objekteve hetimore, atëhere s’mbetet veçse shtyrja në kohë e të gjitha afateve hetimore.

Siç e dini, të gjitha aspektet procedurale dhe ligjore për marrjen në shqyrtim të dokumentacionit janë kaluar. Për ne është e qartë se gjithçka bëhet për të penguar hetimin, thjesht se gjithë kupola e kësaj mazhorance ka qenë e implikuar, nga kryeministri deri tek ministrat e brendshëm, familjarë të ministrave të brendshëm, përfshirë edhe Xhafën, kanë qenë pjesë e të implikuarve në trafikun e drogës, dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të bllokuar hetimin.

Në këto kushte, unë kërkoj edhe njëherë shtyrjen e afatit të komisionit dhe ju drejtohem ju zoti kryetar që t’u bëni apel institucioneve që të zbatojnë kushtetutën dhe t’u përgjigjen kërkesave të komisionit tonë hetimor”.