Mbrëmje e errët/ Humbje e papritur e Cityt, United ndal serinë e fitoreve

Premier League u rikthye këtë mesjavë, me disa nga ndeshjet e javës së 24-t.

Manchester City u përmbys në një ndeshje të pabesueshme, ndërsa një rezultat surprizë mori edhe Manchester United, teksa barazoi në limite 2-2 ndaj Burnleyt.

United i Solskjaer u ndal për herë të parë pas 8 fitoreve, në shtëpi ndaj Burnleyt, me shifrat 2-2.

Miqtë shënuan dy herë në pjesën e dytë, me Barns dhe Ud në minutat 51 dhe 81. Por penalltia e Pogba në minutën e 87-të dhe Lindelof në të 92-tën, bënë që “djajtë e kuq” të dalin të paktën me një pikë nga kjo sfidë.

Ndërkohë, ekipi i Guardiolës u përmbys nga Newcastle. Sergio Aguero shënoi që në minutën e parë për “qytetarët”, por Rondon dhe Richi në minutat 66 dhe 80, sollën një përmbysje të pamenduar.

Fitore arriti Arsenali, në shtëpi përballë Kardifit, me shifrat 2-1. Aubameyang dhe Lacazete shënuan dy herë, ndërsa goli i Mendez Laing nuk mjaftoi për miqtë.

Tashmë, City mbetet në kuotën e 56 pikëve, ndërsa Liverpooli ka rastin më të mirë nesër për t’u shkëputur në 7 pikë.