Messi: Vetëm në këtë mënyrë Barça përmbys rezultatin ndaj Sevillas

Kapiteni i Barcelonës, Leo Messi i ka bërë të qartë tifozëve se skuadra do të ketë nevojë për përkrahjen e tyre, në mënyrë që ta përmbysë disavantazhin me dy gola ndaj Sevillas në çerekfinalen e Kupës së Mbretit.

Messi është i vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë ta përmbysin Sevillën.

“Do të jetë vështirë ta përmbysin rezultatin 2-0 kundër një ekipi të madh si Sevilla”, tha Messi për Mundo Deportivon.

“Ne do të kemi nevojë për tifozët tanë sepse ata kanë lojtarë të mirë dhe luajnë shumë mirë në kundërsulme”, shtoi Messi.

Sulmuesi argjentinas komentoi edhe për konkurrencën këtë sezon në La Liga.

“Është garë e fortë për kreun dhe për mbijetesën. Ne do të përpiqemi ta ruajmë këtë formë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, shtoi ai.

Kujtojmë që Sevilla mposhti Barçën 2-0 në ndeshjen e parë çerekfinale javën e kaluar, dhe të mërkurën do të udhëtojë drejt Katalonjës për ndeshjen e kthimit në “Camp Nou”.