E mashtroi në emision, Magjistari e fton për të kërkuar ndjesë

Ishte i ftuar  në emisionin e pasdites "Rudina" me moderatoren e njohur Rudina Magjistari,  i riu Edlir Reka, i cili u prezantuar si piktor dhe me synimin të bëhej aktor.

Mirëpo, menjëherë pasi është shfaqur në ekran, në profilin e Rudinës në Instagram kanë vërshuar komentet e ndjekësve, të cilët e akuzonin Rekën si mashtrues, se piktura që ai pretendon se është e tij, në fakt është e një artisti kanadez që quhet Blu Smith. 

Pas komenteve të shumta, vetë Rudina Magjistari i dedikoi një status në Instastory, ku e demaskonte të riun dhe i bënte thirrje të kërkonte falje për veprimin e tij.

Dhe ditën e djeshme ai ishte i ftuar për të folur për të vërtetën.

Rudina Magjistari: Na ke shqetësuar këtë fundjavë të gjithëve nga një e vërtetë e cila rezulton të jetë tërësisht ndryshe. Si është e vërteta sipas teje?

Edlir Reka: Të gjithë janë të shokuar, por aq sa jam unë i tronditur s’besoj se është dikush tjetër.

Rudina Magjistari: Pse je ti i tronditur?

Edlir Reka: Nuk është aspak e lehtë kur lexon tituj të tillë nëpër gazeta. Çdokush do ndihej keq. E gjithë zanafilla nisi nga një adresë fallso.

Rudina Magjistari: Nuk ka rëndësi kjo, fakt është ai personi na njoftoi që ajo pikturë në fakt i takonte një personi tjetër.

Edlir Reka: Është e vërtetë. Ajo nuk është piktura ime. Unë këtë e kam pranuar.

Rudina Magjistari: Jo nuk e ke thënë, ndryshe nuk do kishe qenë i ftuari im dhe i askujt tjetër, të jesh i sigurt për këtë. Unë dua që sot të themi të vërtetën për gjithë publikun.

Edlir Reka: E vërteta është thënë dhe është treguar haptazi.

Rudina Magjistari: Cila është e vërteta, a ke qenë ti ndonjëherë në Moskë?

Edlir Reka: Përsa i përket pjesëmarrjeve në konkurse në fushën e artit kjo është e vërtetë dhe nuk më intereson se çfarë thuhet.

Rudina Magjistari: A qëndron kjo pikturë e varur në muret e Muzeut të Artit Modern në Moskë?

Edlir Reka: Për aq kohë sa është e nënshkruar kontrata po.

Rudina Magjistari: Cila kontratë?

Edlir Reka: Pasi merr pjesë në një konkurs firmoset për aq kohë sa duhet të jetë diçka në një vend të caktuar.

Rudina Magjistari: Ajo pikturë është një kopje identike. Nuk ka muze në botë që të pranon një pikturë kopje.

Edlir Reka: Piktura vërtetë nuk është e imja.

Rudina Magjistari: A e ke çuar ti një pikturë të tillë në atë lloj konkursi në Moskë?

Edlir Reka: Pikturë të tillë jo, u dërgua pikturë tjetër dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi dhe nuk dua ta përsëris për të miliontën herë.

Rudina Magjistari: Me çfarë pikture ke qenë në Moskë?

Edlir Reka: Është një pikturë tjetër që unë e kam pikturuar ndryshe, me një pamje tjetër komplet. Këtë pikturë unë e kam marrë nga Blu Smith.

Rudina Magjistari: E ke marrë me lejen e tij?

Edlir Reka: Kur kërkon një pikturë në internet nuk të shkon në mendje të marrësh leje, do sa më shpejt të dalësh nga situata.

Rudina Magjistari: Nuk ka muze në botë që të pranon me një pikturë të tillë, false, kopje dhe aq më tepër të të vlerësojnë me çmim të parë dhe të të mbajnë pikturën në muret e Muzeut të Artit Modern në Moskë, kjo është e pabesueshme. Kjo është një gënjeshtër shumë e rëndë publike. Ti del nëpër programe dhe krenohesh për një gjë që s’ka ndodhur kurrë. Ti nuk e çuar asnjë pikturë në Moskë.

Edlir Reka: Atë e pranoj. Piktura në Instagramin tim nuk është piktura ime. Kemi marrë pikturën e tij dhe e kemi postuar dhe piktura të tjera gjithashtu. Mund të kem bërë një gabim dhe një gjë jo të duhur.

**Ai shtoi më tej se do të fshijë nga Instagrami çdo pikturë që nuk është e tij dhe se do të nisë gjithçka nga e para me punë të ndershme.

Instagrami im do të jetë ashtu siç ka qenë shumë kohë më përpara, aty do jem unë dhe arti im. Unë jam këtu për të kërkuar ndjesë dhe për të thënë që do ta filloj nga e para. Unë këtë histori do ta mbyll këtu dhe do ta nis nga e para me punë të ndershme dhe të pastra”, tha Reka./tvklan.al