Opingat e Zaev dhe Republika e Bashës!

‘Do të mbath opinga hekuri, pesëqind euro pagë mesatare në Maqedoni do të ketë’-Zoran Zaev.

Maqedonia e Veriut, aktualisht, pagën mesatare 400€ në muaj, shumë shpejt do të shkojë në 500€. Zoran Zaev erdhi në pushtet me protesta masive, protesta të cilave u parapriu një plan i mirfilltë dhe i detajuar ekonomik e politik.

Opozita shqiptare akoma pret datën e protestave si datë dasme, sipas traditës popullore, një muaj para.

Opozitë që nuk mundi dot të shfrytëzojë, se nuk u pranua, protestën e studentëve.  Protestë tipike të cilën do duhej ta udhëhiqte një opozitë, sepse ishte protestë varfërie. Protesta e studentëve tregoi krizën e sistemit politik shqiptar.

Tregoi atë që të gjithë e mendojnë, por pak e thonë, tregoi se ne kemi një qeveri të korruptuar, por edhe një opozitë të pandershme. Si mund të thërrasësh një protestë, të cilën e quan të pandalshme deri në rrëzimin me çdo kusht të qeverisë, gjë të cilën e ke bërë dhe dështuar me dhjetëra herë dhe mos të kesh një plan të qartë ekonomik?!

Mund të thonë që e kemi, por sa kohë populli i thjesht nuk di asgjë nga përmbajtja e tij, ti ose nuk e ke dhe gënjen, ose e ke dhe nuk di ta shpjegosh për ata të cilët i thërret në protestë dhe u kërkon votën. Në të dyja rastet je në krizë të thellë. Është thërritur një protestë për datën 16 shkurt. Që të të vijë një qytetar në protestë do të dijë ku ndryshon ti nga tjetri. Do të dijë qeverinë tënde hije. Kush janë alternativat?

Një student do të dijë kush do jetë ministri Arsimit, ç’qëndrim ka ai ose ajo për ligjin e arsimit të lartë, nëse do ta rrëzojë këtë ligj aktual, cili do jetë ligji i ri alternativ? Ku do t’i gjejë qeveria e ardhshme paratë për ulje tarifash? Nëse qeveria hije do të kishte një përgjigje të qartë për të gjitha hallet e studentëve, ata nuk do ta largonin nga protesta. Qytetarët duan të dinë kush do të jenë ministrat e ardhshëm të ekonomisë, financave, energjetikës.

Duan të dinë planin e tyre për konçensionet, nëse do të vazhdojnë apo do të anulohen. Nëse do anulohen, si do anulohen, si do zgjidhen kontratat, dëmet dhe përfitimet për qytetarët cilat do të jenë? Si do sillet opozita e sotme me ata që i quan ‘oligarkë’, do t’i nxjerrë jashtë tregut, nëse jo si do t’i menaxhojë ata?

Fermerët duan të dinë kush është ministri i bujqësisë në hije. Çfarë mendon ai për të zhvilluar këtë sektor shumë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit? Nëse çmimi i karburantit për fermerët do të ulet, si do arrihet kjo, cila është skema e mbështetjes financiare për fermerët?

Sa do jetë paga minimale dhe mesatare e shqiptarëve kur opozita të vijë në pushtet? Si do realizohet kjo? Çmimet e shportës mujore janë rritur ndjeshëm, cili është plani opozitës për uljen, sa do jetë afërsisht dhe si do realizohet kjo?

Punëtorët që janë në kategorinë e pagës minimale, e cila shkoi me ligj 26000/lek, nuk e marrin realisht këtë pagë, punëtorët e fasonerisë p.sh, pasi derdhet paga në bankë janë të detyruar të kthejnë një pjesë te punëdhënësi. Realisht punëtorët e fasonerisë pagën neto e kanë midis 15000-18000/lek në muaj. Si do kontrollohet kjo gjë dhe cilat janë garancitë që qeveria e ardhshme do t’u japë punëtorëve që të ngrihen t’i denoncojnë këto praktika, pa patur frikën se do humbasin vendin e punës?

Krahas këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave që nuk po përmenden këtu, cili është plani i 100 ditëve të para të qeverisë hije, i detajuar?

Këto dhe shumë pyetje të tjera do të duhej të kishin një përgjigje dhe nëse do kishte një përgjigje nuk do të lindte nevoja për të prerë datë proteste, por do të ishte në krye të protestave të studentëve. 

Zoran Zaev është sot i nominuar për çmimin NOBEL, sepse kur protestonte kundër pushtetit i bindi maqedonasit se i kishte seriozisht denoncimet e aferave korruptive të qeverisë. I bindi maqedonasit dhe shqiptarët se do të zbatonte marrëveshjen e Ohrit. I bindi maqedonasit se do të zgjidhte problemin e emrit me Greqinë. I bindi maqedonasit se do t’u rriste pagat. I bindi maqedonasit se do të shkëputej nga oligarkët dhe mbështetja e pandershme që kishin ata nga qeveria. I bindi maqedonasit se do hapte edhe më shumë vendin ndaj investimeve të huaja.

Zoran Zaev i bindi, maqedonasit e mbështetën me protesta dhe fitoi zgjedhjet. Sot Maqedonia quhet e Veriut, paga u rrit, ish kryeministri është arratisur, vendi ka marrë dritën jeshile për anëtarësim në NATO dhe BE. Unë, madje, besoj se do ta parakalojë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit.

Po opozita jonë si do i bindë shqiptarët, kur akoma nuk bind anëtarët e vet?! Si do t’i bind shqiptarët se do zbatojë kushtetutën dhe ligjet kur nuk zbaton kushtetutën e saj (statutin e partisë, rregullat e brendshme)?!

Kush janë vlerat që janë afruar në parti nga hapja e saj? Kush dha dorëheqje dhe mbajti përgjegjësi për dështimet?

Si do vazhdohet në këtë vend, akoma- humba zgjedhjet këtë radhë, gabim bëra, por nuk iki do ta provoj përsëri?

Si të vijnë shqiptarët të protestojnë kur akoma nuk dinë asgjë për marrëveshjen e 17 majit 2017, takimi kokë më kokë i kryeministrit dhe liderit të opozitës?!

Kjo është demokracia?

Ky është modeli?

Për këtë duhet të protestojnë shqiptarët?