VIDEO/ Partizani marshon drejt titullit, Skënderbeu ‘viktima’ e radhës

Partizani mori një fitore të rëndësishme në Korçë përballë Skënderbeut në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të Superligës Shqiptare.

Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega fitoi 1-0 dhe në këtë mënyrë mori 3 pikë të arta në transfertën e vështirë.

Një ndeshje që dhuroi emocione ku nuk mungoi goli, kartoni i kuq madje as penalltia.

Ndeshja nisi furishëm pasi Partizani kaloi në avantazh që në minutën e 3' me anë të mesfushorit Esat Mala.

Vlen të theksojmë që pjesën e dytë Asani fitoi një penallti të diskutueshme pasi korçarët pretendojnë se ndërhyrja ishte jashtë zonës së 16 metrave.

Por Bruno Telushi gaboi nga pika e bardhë pasi ishte portieri Aldo Teqja që priti gjuajtjen duke mbajtur në lojë Skënderbeun.

Ndërsa minutën e 95' ishte Trashi që u ndëshkua me kartonin e kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit.

Pas kësaj fitore, Partizani kryeson e vetme Kategorinë Superiore me 40 pikë të grumbulluara, 6 më shumë se Kukësi i vendit të dytë dhe 10 më tepër se Skënderbeu që pozicionohet e katërta.