Cristiano Ronaldos mund t’i hiqen dekoratat

Portugalia do të analizojë vendimin e drejtësisë spanjolle për rastin e Cristiano Ronaldos (arriti një marrëveshje për dënimin që mori për evazion fiskal), për të vlerësuar nëse duhen tërhequr dekoratat që ka marrë CR7 nga vendi tij.

E deklaroi presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, për shtypin portugez, i cili tha: “Ligji është shumë i thjeshtë. U përket specialistëve për të verifikuar nëse ekzistojnë situata për revokimin e titujve të nderit”.

Zyra e shtypit e Presidentit shtoi se do të presë daljen e versionit origjinal të vendimit final të autoriteteve spanjolle, para se të vendosë sesi do të procedojë.

Në vitin 2014 Ronaldos iu akordua medalja e “Urdhrit të Lartë Dom Henrique” dhe në vitin 2016 “Kryqi i Lartë dhe Urdhri i Meritës”.

Në Madera, ku ka lindur Cristiano Ronaldo, autoritet kanë konfirmuar që nuk do të preken dekorimet.

“Këtu Ronaldo është konsideruar gjithmonë si një person për t’u marrë shembull. Është portugezi më i famshëm në botë”, deklaroi  Miguel Albuquerque, president i krahinës autonome.