Qytetarja i shkruan Ramës: Halabak apo kokë turku?!

Pas deklarimeve të kreut te qeverisë pas shkarkimit të nje zyrtari të Rlindjes në Durrës në redaksinë e Syri.net kanë ardhur edhe reagime të shumta.

Një nga këto është edhe letra e mëposhtme e mbërritur në redaksi. Kjo është letra e një qytetarje nga Durrësi e cila shkruan se “Kryeministri Rama me sigurinë e prepotencës që po shfaq rëndom së fundi shpalli gijotinën publike për drejtuesin e Hipotekës së Durrësit. Duke marrë shkas vetëm nga një zhargon që përdoret rëndom në çdo zyrë shteti, ministrie, madje dhe kryeministrie ai shkarkoi nga detyra një drejtues që nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore”.

Ja letra e saj e plotë:

Unë jam Sandra Grelsha një qytetare nga Durresi. Prej dy ditësh shoh të përflitet në portale dhe media rasti i shkarkimit të kreut të Hipotekës së Durrësit.

Duke marrë shkas nga eksperienca ime personale vendosa të bëj këtë reagim publik  sipas një opinioni personal.

Kryeministri Rama me sigurinë e prepotencës që po shfaq rëndom së fundi shpalli gijotinën publike për drejtuesin e Hipotekës së Durrësit. Duke marrë shkas vetëm nga një zhargon që përdoret rëndom në çdo zyrë shteti, ministrie, madje dhe kryeministrie ai shkarkoi nga detyra një drejtues që nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Në këtë kohë të turbullt abuzimesh dhe dyshimesh për tendera dhe PPP-sh miliona euroshe duhen ca shembuj inkuizicioni publik.

Dhe një prej tyre syresh, ishte Drejtori i Hipotekës së Durrësit. Ai nuk kishte asnjë vit që kishte marrë këtë detyrë. Njihet si person me integritet dhe i pakorruptuar. Po pse u shkarkua - lind pyetja? Thjeshtë sepse dikush u përdor për gjueti shtrigash.

Një klan i interesuar për të marrë nën kontroll hipotekën e Durrësit ngriti kurthin duke përfshirë brenda edhe një emision investigativ si Fiks Fare që ka dyshime të forta se shpesh përdoret për interesa okulte dhe korruptive. Një viktimë gjendet gjithmonë për t'u përdorur dhe në këtë rast nuk mungoi viktima e cila ishte e interesuar të provokonte me kujdes dhe me instruksione fjalorin e punonjësve të hipotekës.

Natyrisht në një zyrë shteti ka norma sesi flitet, por ka norma sesi flitet përballë dikujt që nuk provokon ose qëllimisht stis situatën. Ky është rasti i Hipotekës në Durrës ku dikush luan një lojë të pistë dhe bashkë me punonjësit e hipotekës, peshkohet edhe Kryeministri, që reagoi pa e parë dhe ekzaminuar rastin në thellësi.

Kjo tregon se Rama është i interesuar për imazhin, jo për të vërtetën. Përsa i përket pretendimeve për komunikim, o shkel etikën Kryeministri kur flet, o se shkel njeri, o thyen protokollet kryeministri madje edhe ato të nivelit të lartë o se bën njeri në Shqipëri. Apo është rasti të thuhet bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë.

Shpejt koka do t'i dalë edhe këtij akti të nxituar të Ramës. Hipoteka e Durrësit nuk ishte një model, por nuk ishte dhe një strehë halabakësh. Se nëse drejtori i Durrësit është halabak sipas Kryeministrit, po Rama çfarë është me normat e komunikimi të tij kryehalabak?! 

Me respekt për çdo lexues

Sandra Grelsha!