Kapiteni i Shpresave largohet nga Dinamo e Zagrebit, firmos në Slloveni

Endri Çekiçi është larguar nga Dinamo e Zagrebit, për të nisur një aventurë të re në Slloveni te skuadra e Olimpija Lubljanës.

Sulmuesi i Kombëtares së Shpresave do të jetë pjesë e ekipit slloven për tre sezonet e ardhshme dhe do të ketë më shumë minuta në këmbë këtej e tutje.

Me ekipin e Dinamos së Zagrebit, ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ekipin e parë këtë sezon, por është aktivizuar vetëm me skuadrën e dytë.

Në të shkuarën Çekiçi, ka luajtur edhe me Lokomotivën e Zagrebit, ku ra në sy dhe u transferua tek gjigantët kroatë.

Lojtari është kapiteni i Kombëtares Shpresa dhe në ekipin e ri do të mundohet të arrijë formën e tij më të mirë, duke pasur më shumë minuta në këmbë.