Venezuela në protesta kundër diktatorit socialist Maduro, qindra mijëra kërkojnë largimin

Qindra mijëra qytetarë venezuelianë kanë dalë në protesta në të gjithë vendin në përkrahje të liderit të opozitës Juan Guaido, i cili e shpalli veten President të Venezuelës. Guaido u njoh si kryetar i shtetit të Venezuelës nga Presidenti i SHBA Donald Trump, ndërsa Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro u përgjigj me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, që është partneri më i madh tregtar i vendit të tij.

Socialisti Maduro, i cili dy javë më parë bëri betimin si president për një mandat të dytë 6-vjeçar, i dha 72 orë kohë personelit diplomatik amerikan të largohet nga vendi, por Trump u përgjigj se nuk e njeh këtë vendim, duke mos njohur Maduron si president. Ndërsa Maduro nuk ka shfaqur asnjë shenjë se mund të largohet nga posti, Presidenti i Asamblesë Kombëtare Juan Guaido bëri lëviejn e tij duke u deklaruar president para masave të demonstruesve anti-qeveritarë. Sipas tij, kjo ishte e vetmja rrugë për të shpëtuar Venezuelën nga diktatura. Jashtë kryeqytetit Karakas, shtatë demonstrues u vranë në protesta në qytete të ndryshme.

Trump premtoi të përdorë gjithë fuqinë ekonomike e diplomatike të SHBA për të kthyer demokracinë në Venezuela. "Populli i Venezuelës foli me guxim kundër Maduros e regjimit të tij dhe kërkoi liri e sundim të ligjit”, tha Trump në një deklaratë, ndërsa Senatori i Floridas Rick Scott bëri thirrje për futjen e Venezuelës në listën e vendeve terroriste. "Mos iu besoni gringove”, u përgjigj Maduro, duke përmendur një listë vendesh me puçe ushtarake të frymëzuara nga SHBA në dekadat e kaluar: Guatemala, Kili, Brazil. "Ata nuk njohin miq e besnikëri. Ata kanë vetëm interesa dhe ambicien për të marrë naftën, gazin dhe arin e Venezuelës”.

Presidenti i shpallur Guaido nxori edhe ai deklaratën e tij, duke iu bërë thirrje ambasadave perëndimore të injoronin urdhrat e Maduros e të mbanin diplomatët në vend. Ndërkaq protestuesit në gjithë vendin i kanë bërë thirrje Maduros të largohet nga pushteti, të cilin e mban që nga vdekja e diktatorit Hugo Chavez, statujës të të cilit në Karakas i vunë zjarrin.