Vokshi i kundërpërgjigjet Topallit: Nuk është e vërtetë që udhëheqja e re e PD nuk ka fytyrë...

Menjëherë pas zgjedhjes së udhëheqjes së re Të partisë Demokratike, kryesisë dhe sekretariatit një nga zërat historik të kësaj force politike, Jozefina Topalli reagoi ashpër.

Për ish nr.2 të PD-së dhe ish-kryetaren e Kuvendit kjo udhëheqje e re e PD është; ‘’No face, no name, no voice”.
Por këtij reagimi të ashpër i është kundërpërgjigjur mbrëmjen e djeshme deputetja Albana Vokshi, pavarësisht se me tone shumë më të buta.

“E respektoj zonjën Topalli dhe kontributin që ajo ka dhënë për Partinë Demokratike. E respektoj edhe qëndrimin që ajo ka për kryesinë, por ka disa gjëra që unë i lexoj ndryshe.

Ajo thotë që personi më i votuar Kryesi ka më pak vota se gjysma e Këshillit Kombëtar, por nuk është tamam ashtu sepse ai ka më shumë se gjysma e personave që kanë votuar. Duhet pasur parasysh që edhe vota ka qenë e shpërndarë.

Sa u përket figurave që janë sot në Kryesi, ajo është një ndërthurje e të vjetrës me të rinjtë. Aty ka personalitete të shquara, ka ish-drejtues institucionesh të rëndësishme, aty ka ish-ministra, ka jurisë dhe ekonomistë, ka përfaqësues të ish-të përndjekurve dhe ish-pronarë. Të gjitha shtyllat e PD-së janë të përfaqësuara”, reagoi Vokshi mbrëmë në studion e emisionit “Byro politike”në ABC News.