Reklama për gjigantin e modës thuajse i shkatërron karrierën modeles

Modelja kineze, Zuo Ye,  e cila u shfaq në një reklamë të Dolce & Gabbana thotë se reagimet lidhur me fushatën publicitare gati sa nuk i shkatërruan karrierën.

Gjithçka nisi me një video të postuar nga marka prestigjoze, ku modelja Zuo Ye mundohej të hante me shkopinj ushqim italian, duke përfshirë këtu makaronat dhe picat. Veprimi i saj shkaktoi reagime të ashpra në Kinë, dhe reklama u pa si ofenduese ndaj kulturës kineze dhe traditave të lashta të vendit.

Vetë Zuo tha se ndihej “fajtore dhe e turpëruar”, por kërkoi që pozicioni i saj të kuptohet.

“Ndihem fajtore dhe e turpëruar, por nuk mendova gjatë, mendova për famën dhe paratë. Pas asaj reklame karriera ime thuajse mori fund, por kërkoj mirëkuptimin tuaj”, tha modelja në një status në rrjetet sociale kineze.

Gjiganti italian i modës i publikoi videot nëntorin e vitit të kaluar, përpara spektaklit të tij në Shangai. Fushata fokusohej tek kultura kineze por reagimet e ashpra në Kinë e detyruan firmën ta anulonte eventin.