Meta propozon Shaqirin për KLSH, PS del kundër: Nuk ka eksperiencë në financa

Duket se maxhoranca do të rrëzojë edhe kandidaturën e Bahri Shaqirit, që u propozua nga presidenti Ilir Meta për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në një postim në facebook, vetëm pak minuta pasi kreu i shtetit njoftoi kandidaturën, kryetari i komisionit të Ligjeve Ulsi Manja thotë se është realisht e pamundur drita jeshile për Shaqirin.

“Presidenti sot dekretoi propozimin e kandidaturës së Bahri Shaqirit për në krye të KLSH. Përtej faktit të të bërit politikë, sinqerisht nuk arrij ta kuptoj pse qenka kaq e vështire për ta lexuar shqip në germë dhe frymë Kushtetutën e RSH?”, shkruan Manja.

“Kandidatura e Bahri Shaqirit per Kontrollin e Larte te Shtetit, pervecse eshte nje kandidature me profil te larte politik pasi vjen nga forumet drejtuese te LSI, ka edhe nje problem serioz kushtetues”.

“Kushtetuta e percakton qarte si kriter te kandidatit per drejtimin e KLSH, ekspertizen ne fushen e financave”, vijon më poshtë ai në shënimin e tij duke lënë të kuptohet se Shaqiri nuk do të miratohet nga Rilindja.